Marrëveshja mes shtetit shqiptar dhe kompanisë pas së cilës qëndron Jared Kushner, dhëndri i Presidentit Donald Trump, nuk është finalizuar ende plotësisht, megjithatë detaje janë bërë publike në platformën “Pasqyra e Flamingos”, përmes së cilës qeveria premton transparencë.

Investimi kërkon miliarda dollarë për shkak edhe të mungesës totale të infrastrukturës në ishullin e pabanuar e të pazhvilluar, kosto që siç sqaron qeveria janë marrë përsipër nga investitori. 

Subjekti zhvillues do të mbulojë kostot e infrastrukturës së nevojshme për realizimin e projektit, përfshirë shërbimin e energjisë elektrike, furnizimin me ujë të pijshëm si dhe grumbullimin e trajtimin e ujërave të ndotura.

Shteti shqiptar nga ana tjetër nuk do të jetë thjesht poseduesi i pronës shtet, por do të jetë pjesë e këtij investimi si aksioner.

Gjurma ku pritet të ndërtohet kompeksi turistik luksoz, njësitë e shërbimit si dhe rezidenca banimi është 45 ha nga 562 në total që ka ishulli, pa kufizuar siç sqarohet, aksesin publik dhe të lirshëm të qytetarëve.

"Sazani nuk është privat, pra do të ketë hapësira dhe akses për vizitorët, turistët. E njëjta gjë vlen edhe për Zvërnecin, zhvillimi i një projekti nuk do të thotë mbyllje e aksesit për vizitorët, banorët. Sazani nuk do të privatizohet si vijë bregdetare. Kufizimet që mund të ekzistojnë lidhen me sigurinë, mbrojtjen e mjedisit, trashëgiminë dhe funksionimin e strukturave përkatëse, jo me krijimin e një 'ishulli privat'", thuhet në platformën “Pasqyra e Flamingos”, .

Projekti nuk mund të cilësohet ende i përfunduar e madje as i përputhur me standardet evropiane për sa kohë ende nuk është finalizuar Vlerësimi i Thelluar i ndikimit në mjedis që do të analizojë habitatet, ujërat, toka, klima, peizazhi, komuniteti, dhe ndikimet.

Pronësia e shtetit shqiptar mbi ishullin e Sazanit nuk mund të vendoset si kolateral dhe ky konsiderohet si një kusht i panegociueshëm.

Por a do të mund të shite vila apo rezidenca private në Sazan dhe cfarë statusi juridik do të kenë ato?

"Në këtë fazë nuk ka një vendim përfundimtar për shitjen ose mosshitjen e njësive rezidenciale. Masterplani paraprak parashikon struktura hotelerie dhe njësi rezidenciale, por modeli i pronësisë, përdorimit dhe financimit të tyre është ende pjesë e negociatave. Nëse parashikohet shitja ose dhënia në përdorim e njësive të caktuara, kjo nuk do të nënkuptojë shitjen e ishullit. Një model i tillë duhet të përcaktojë qartë statusin juridik të njësive, të drejtat që fitojnë përdoruesit, kohëzgjatjen, kufizimet e transferimit dhe garancitë për pronën shtetërore. Vendimmarrja nuk i takon në mënyrë të njëanshme investitorit", thuhet më tej.

Përqindja e pjesëmarrjes së shtetit, të drejtat në vendimmarrje, mënyra e ndarjes së dividendëve dhe detyrimet konkrete të palëve nuk janë përcaktuar ende përfundimisht. Këto elemente janë pjesë e procesit të vlerësimit dhe negocimit dhe do të kenë fuqi juridike vetëm pasi të pasqyrohen në marrëveshjen përfundimtare.