Schmidt- Krasniqit: Gjermania do të mbështesë Kosovën në fushën e bujqësisë

/ATSH/- Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi zhvilloi dje një takim me Ministrin e Ushqimit dhe Bujqësisë të Gjermanisë, Christian Schmidt në ceremoninë e hapjes së Forumit Global për Ushqimin dhe Bujqësi që po mbahet në Berlin.

Në hapje të kësaj ngjarje, nga më të rëndësishmet në botë për bujqësinë, ka marrë pjesë edhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel si dhe ministra të fushës nga vende të ndryshme të botës, por edhe shumë personalitete të ndryshme që merren me ushqimin, bujqësinë dhe ambientin.

Ministri Krasniqi e njohu homologun e tij gjerman me prioritetet e Kosovës për bujqësi, duke theksuar se këtë vit ajo do të jetë një nga shtyllat kryesore të angazhimeve qeveritare.
Ministri foli për orientimet kryesore të MBPZHR-së për këtë vit në mbështetje të fermerëve me qëllim të rritjes së prodhimit bujqësor dhe zhvillimit të bizneseve në këtë fushë që do të shtojnë vende të reja të punës, por edhe do të rrisin cilësinë dhe sasinë e produkteve vendore.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Bujqësisë, Krasniqi tha se në fokus do të jetë krijimi i lidhjeve ekonomike me vendet e Evropës në mënyrë që edhe produktet nga Kosova të jenë në tregun rajonal dhe evropian. Në këtë drejtim, ministri Krasniqi falënderoi ministrin Schmidt për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë Kosovës në shumë fusha dhe theksoi gatishmërinë e tij që mes dy vendeve bashkëpunimi në fushën e bujqësisë dhe ekonomisë në përgjithësi të rritet.

Ministri Schmidt e uroi ministrin Krasniqi për detyrën dhe i shprehu gatishmërinë për bashkëpunim. Ai e vlerësoi faktin që Kosova i ka dhënë prioritet bujqësisë, duke thënë se kjo fushë mbetet një nga mundësitë më të mira për zhvillim ekonomik.

Përveç në këtë ngjarje, Ministri Krasniqi nesër do të marrë pjesë edhe në Samitin e 7-të të ministrave të Bujqësisë, që mbahet po në Berlin si dhe në njërën nga ngjarjet më të rëndësishme globale për bujqësinë dhe ambientin, 'Java e Gjelbër Ndërkombëtare', që organizohet për të 80-tën herë. Këtë vit, përveç Gjermanisë, partner organizator i 'Javës së Gjelbër Ndërkombëtare' është Letonia./Kosovapress/

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja