Mesfushori Bastian Schweinsteiger beson se Gjermania e ka potencialin për të mposhtur Brazilin në gjysmëfinalen e kampionatit Botëror. “Brazili ka një ekip me shumë eksperiencë që drejtohet nga një trajner i madh si Scolari. Unë mendoj se Gjermania është e aftë t’i mposhtë 5-herë kampionët e Botës.

Njerëzit i shohin brazilianët sikur të jenë magjistarët e futbollit, por unë mendoj se kombëtarja aktuale luan një tjetër futboll nga Brazili i dikurshëm. Megjithatë, vlerësoj faktin se Brazili i sotëm është një ekip shumë i vështirë për t’u mundur.

Përsa i përket mungesës së Neymar, të gjithë jemi të trishtuar. Gjëja më e bukur në futboll është që të gjithë futbollistët e mëdhenj të kenë mundësi të luajnë në ndeshje të mëdha. Pavarësisht mungesës së tij, mendoj se Brazili do të zhvillojë një ndeshje pozitive dhe do të përpiqet të fitojë për Neymar” përfundoi ai.


d.b/shqiptarja.com