Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se përmes informacioneve të pavërteta, po tentohet që të pengohet investimi në Zvërnec të Vlorës, duke e pasqyruar atë si një investim të izraelitëve.
Komentet Rama i bëri nga festa në Tiranë për 35-vjetorin e themelimit të PS, ku tha se investitorët në Zvërnec janë 2 vëllezërit nga Katari.
Më tej Rama tha se pavarësisht se Kushner është me origjinë hebreje, kjo sipas tij nuk duhet të ketë lidhje me investimin, pasi nuk është çështje që u takon shqiptarëve.
“S’duam ne turizëm elitar, se turizmi elitar nuk është për ne. E kundërta është e vërtetë, ne na duhet më shumë turizëm elitar, sepse çdo lek që vjen, është gati dyfishi i asaj që futet në ekonominë e vendit. Turizmi i masës ka qenë i shkëlqyer, sepse ka qenë ambasadori i asaj që flitet në gjithë botën. Por Shqipëria nuk mund të mbetet mbrapa, nuk është e thirrur që të shpikë rrotën, por të hapë portën. Historia e shqiptarëve është historia e njerëzve që përtej feve kanë Zot respektin për tjetrin, për mikun, për atë që është në nevojë, për atë që është në rrezik. Ishin myslimanët që u bënë mburoja e hebrenjve. Kjo është arsyeja pse Shqipëria duhet ta mbajë atë lidhje. Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut.
Cili është djalli që po tenton të hyjë në mes nesh? Që po provon t’u lërë fëmijëve tanë në kurriz, diçka që ne duhet t’i mbrojmë? Cili është djalli që po pengon një investim turistik? Ç’lidhje ka Izraeli me investimin atje në Zvërnec? Dy investitorët kryesorë janë 2 vëllezër myslimanë nga Katari. Apo se dhëndri i Presidentit të SHBA-ve është hebre. Po pastaj? Kaq budallenj mund të bëhemi ne që të hedhim përpjetë atë që nuk hidhet dhe t’i bëjmë karshillëk dynjasë? Ne duhet t’i kemi marrëdhëniet strategjike me të gjithë”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
35-vjetori i PS, Rama: Shqipëria s’ka qenë kurrë në shitje, ejani verifikoni faktet! Projekti i Zvërnecit do ta kthejë në xhevahir të Mesdheut!








