TIRANË- Shumë shpejt do të çelet muzeu i ri kushtuar historisë së Forcave të Armatosura. Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video ku janë ekspozuar disa mjete ushtarake, të cilat do të jenë pjesë e këtij muzeu.

Ai shkruan se aty do të ekspozohen mjete e pjesë të logjistikës së Forcave të Armatosura në vite, një hapësirë prej 100 mijë metër katrorë.

Rama thotë se më parë në këtë territor, ndryshkeshin mjete të vjetra e të harruara që shiteshin për skrap, nga vandalët pa kujtesë e pa shije të pushtetit të korruptuar në palcë.

“Mirëmëngjes, shumë shpejt do të hapë dyert muzeu më i ri, kushtuar historisë së Forcave të Armatosura, ku do të ekspozohen mjete e pjesë të logjistikës së tyre në vite, në rreth 100 mijë metër katrorë sipërfaqe, aty ku dikur ndryshkeshin mjete të vjetra e të harruara që shiteshin për skrap nga vandalët pa kujtesë e pa shije të pushtetit të korruptuar në palcë... Një mjedis muzeal unikal në periferi të kryeqytetit, me zonën e mirëfilltë muzeale e atë rekreative, ku natyra e bukur dhe hapësirat brenda objekteve do të krijojnë një pikë të re referimi për vizitorët e të gjitha moshave dhe turistët padyshim” – shkruan Rama.