Opozita e cila e kundërshtoi këtë paketë, arsyetoi qëndrimin e saj me faktin se paketa fiskale do të sjellë përkeqësim të situatës së biznesit në vend, duke shtuar evazionin fiskal dhe korrupsionin.
Ministri i Financave Ridvan Bode deklaroi se qeveria ka dekujaruar evazionin fiskal dhe kontrabandën e kafes e cila, sipas tij, lulëzonte gjatë qeverisjes së PS-së. Kryeministri Berisha sulmoi opozitën duke e akuzuar se po bllokon vendin, si dhe duke etiketuar deputetin Fidel Ylli si kryebixhozxhiu, dhe ish ministrin Anastas Angjeli kontrabandist të kafes. Në replikë kreu i grupit PS-së tha se opozita nuk e votoi buxhetin e qeverisë, pasi ai nuk ndihmon në rimëkëmbjen e ekonomisë dhe në zbutjen e efekteve të krizës.
Paketa fiskale përfshin ndryshime në ligjet respektive, që lidhen me tarifat doganore të importit të kafesë së papjekur, e cila përpunohet në vend, me vendosjen e një tarife të re për eksportin e lëndëve të drurit, aplikimin e nivelit të ri për gjobat në deklarimin e punonjësve, procedurat e reja të regjistrimit në QKR për përfaqësuesit tatimorë, çregjistrimin e biznesit, modeli i ri, si dhe heqjen e TVSH-së për importin e makinerive dhe pajisjeve.
Gjatë diskutimit në seancën e sotme parlamentare Partia Socialiste paraqiti ndryshime në paketën fiskale, propozime të cilat nuk u pranuan nga mazhoranca.
Propozimi i parë kishte të bënte me heqjen e akcizës për naftën që përdoret në bujqësi.
Për ministrin e Financave, Ridvan Bode, diçka e tillë do të çonte në dështim.
Propozimet të tjera të opozitës ishin edhe në marrjen e masave të reja për të ulur kostot e fermerëve. Kundërshtimi i mazhorancës u arsyetua me faktin se qeveria i ndihmon fermerët me transferta direkte.
MALAJ: PUBLIKONI EMRAT E PERFSHIRE NE EVAZION FISKAL
”Mjaft u pasuruat në mënyrë kriminale. Të mos bëhet pis e gjithë politika shqiptare”- tha deputeti Arben Malaj duke shtuar se “Politikanët janë të krimbur deri në grykë.Që të gënjejë ministri është turp.” Malaj kërkoi zyrtarisht emrat e personave që janë përfshirë në listën e evazionit fiskal. ”jemi ne vendin e 160 të botë për administrim fiskale. Luftoni korrupsionin të dalë vendi nga kriza”- tha Malaj
AHMETAJ: MBYTET BIZNESIN ME GJOBA
Ora 13:00 “Stop! Mos u tallni më me qytetarët shqiptarë.. Stop! Mos e ofendoni më opozitën shqiptare. Kryeministër të ka dështuar i gjithë sistemi. Mos e çoni Shqipërinë në flakë si në 1997”- tha Ahmetaj duke shtuar se “kjo qeveri që nuk sjell dot paketë fiskale,është në ikje”. Sipas tij biznesi në Shqipëri është i mbytur në gjoba dhe procedura tatimore është shpartalluar totalisht. Në replikë ministri tha se “Gjobat janë të pashmangshme në procesin e taksave”
BODE: PS BEN DEMAGOGJI
Ora 12:20 Ministri i Financave Ridvan Bode ka akuzuar opozitën se po përdor vetëm demagogjinë si argument.
“Opozita po bën një demagogji të pabesueshme. Kjo paketë është për të prodhuar stimuj fiskal. Qeveria po bën lëshime me politikën e saj fiskale”- tha Bode
BALLA: SHQIPTARET NUK KANE TE HANE, QEVERIA BEN DARKA TE SHTRENJTA
Ora 12:10 Deputeti Taulant Balla kërkoi që të anulohet darka super e shtrenjtë e deputetëve për Vitin e Ri dhe këto lekë të shkojnë për jetimët e nevojtarët. "Shumë shqiptarë nuk kanë bukë të hanë dhe kjo është sarkazma më e madhe e kësaj qeveria që organizon darka të shtrenjta”- tha Balla.
BRAÇE: BERISHA PO VJEDH FERMERET
Ora 12:05 Deputeti socialist, Erjon Braçe tha se “Ulja e kostove të prodhimit favorizon klientelizmin. Ka pabarazi të madhe për akcizën e kafesë. Klientët e Berishës kanë hyrë me shumë para në treg. Gjithçka bëhet që klientët e Berishës të mbajnë tregun. Ulërimat e bujqëve nuk i dëgjon Berisha, s'janë klientë. Berisha po i vjedh fermerët dhe peshkatarët”.
FIDEL YLLI- BERISHES: ME 23 QERSHOR DO TE BEJME PENSIONIST MILIONER
Ora 11:45 Në përgjigje të deklaratave të Kryeministrit Berisha, deputeti i PS-së, Fidel Ylli tha “Duçja ka pasur një shprehje “më shani më shani po mos më harroni”. Unë do të shqetësoshesha nëse ju zoti Kryeministër nuk do të ma përmendni emrin një herë në seancën e Kuvendit. Nuk kam as kompani bastesh, as ndërtimi, jo se është turp të bësh biznes dhe politikë, por me këtë qeveri është e pamundur se do të përballesh me gjoba që nuk i përballon dot. Kërkon angazhim dhe është e pamundur t’i bësh të dyja bashkë. Pasi i bërë të gjithë ish-ushtarakët, pensionët i bërë milionerë duke i shtuar pensionet ne në 23 qershor do të bëjmë dhe ty milioner. Keni ngeler vetem ju dhe 4-5 vetë të qeverisë të varfër. Do të bëjmë milioner do të nxjerrim në pension që të marrësh pensionin e lartë. Këtë behar isha në Vlorë për pushime dhe e pyes pse është bosh? Është e zënë më tha.
Nga ana e saj Topalli tha: Me Duçen në kokë do të vini në pushtet
RUÇI: BERISHA MASHTRON DHE HEDH LLUM MBI OPOZITEN
Ora 11:40 Kryetari i grupit PS-së Gramoz Ruçi akuzoi Berishën se në vend që të fliste për paketën fiskale hodhi llumin për të mashtruar opinionin publik. “Erdhi foli e iku. Në vend të fliste për paketën fsilake foli për opozitën. Hodhi llumin për të mashtruar opinionin publik”. Ruçi shpjegoi se opozita nuk e votoi pr/buxhetin jo për ata që tha Kryeministri, por sepse nuk ndihmon rimëkëmbjen e ekonomisë.
“Këtë se thotë Edi Rama e opozita, por FMN e BB. Prandaj zoti Kryeministër përgjigju FMN e BB, para se të anatemosh opozitën...Buxheti nuk ndihmon në uljen e krizës....Barra fiskale është rritur në 38 %..Buxheti shoqërohet me rritje të buxhetit, ndërkohë që uljen ta kërkonte FMN. Buxheti nuk zbut varfërinë”, shtoi Ruçi.
Më tej Ruçi i ka bërë thirrje për miratimin e 10 propozimeve të Partisë Socialiste. “Nëse je vërtet për politikat fiskale dhe për t’i ardhur në ndihmë punësimit mirato propozimet sepse ky buxhet nuk bën asnjë përpjekje për të përmirësuar situatën e rrënuar të sistemit elektrik në Shqipëri, përkundrazi po thellohet çdo ditë e më shumë. Ky buxhet nuk e shpëton nga plehrat dhe nuk merr përsipër të paguajë 170 milionë euro që i ke borxh firmave të ndërtimit, tej 62 % që ke borxhin publik”, theksoi Ruçi.
BERISHA: PS MBAN PENG INTEGRIMIN PER KARRIGEN E RAMES
Ora 11: 30 Berisha akuzoi opozitën se bllokon integrimin duke mos votuar 3 pr/ligjet. “Për 3 ligje mban peng 200 milionë euro për rrugë, shkolla Keni angazhuar mediat dhe propagandën e mashtrimit duke thënë se statusi lidhet me zgjedhjet. Statusi është i lidhur me karrigen e Edi Ramës. Murin e bllokimit do ta shembim në qershor të vitit që vjen”- tha Berisha duke shtuar "Hiqni dorë nga darkat e gabuara të Enver Hoxhës, besojini transparencës"
BERISHA: FIDEL YLLI KRYEBIXHOZXHI, ANASTAS ANGJELI, KONTRABANDIST I KAFES
Ora 11: 27 Kryeministri Berisha bëri thirrje për të votuar pr/ligjet dhe premtoi se do të hiqet TVSH-ja për të gjitha kategoritë e bizneseve. Ai sulmoi opozitën se kundërshton ligjet për akcizat të cilat kanë për qëllim krijimin e vendeve të reja të punës dhe luftën e kontrabandës. “Opozita e ka shndërruar seancën në një shoë tragjik për veten. Kjo opozitë meriton të quhet akcizë opozita”- tha Berisha. Kryeministri tha se qeveria e tij po lufton kontrabandën e kafes dhe quajti Fidel Yllin kryebixhozxhi, ndërsa ish Ministrin e Financave Anastas Angjeli kontrabandist të kafes.
”Lufta e kontrabandës u intereson brenda miliarderëve të opozitës. Nuk do harroj debatin në këshillin bashkiak për kaziontë, e bëtë vetëm për Fidelin, ndërkohë që sot çdo natë familje shqiptare bien pre e saj. Duhej të mbronit kryebixhozxhiun më të madh të vendit, zotin Fidel Ylli. ...Luftuam kontrabandën tuaj të kafes. I dëgjuar shifrat (e ka fjalën për shifrat e dhëna nga ministri Bode). Harruat kur u thosha që Caci është i nxirë nga kafeja, shkoi prapë të prodhonte për tu bërë ministër, por s’mbëhet më kurrë. I keni bërë si kaushkët e kokoshkave”- tha Berisha
BODE: LUFTUAM KONTRABANDEN E KAFES
Ministri i Financave Ridvan Bode deklaroi se kjo qeveri ka dekujaruar evazionin fiskal dhe kontrabandën e kafes. “Kafja juaj në 2004 është zhdoganuar 2700 tonë, ndërsa në 2012, u zhdoganuam 7200 ton kafe, kjo nuk tregon se është konsumuar më shumë kafe, por taksohet.
Sipas Bodes “një politikë fiskale ku trajtohen në mënyrë të njëjtë të gjithë industritë nuk mund të jetë politikë klienteliste.” “Përfitojnë 18 impiante të përpunimit të kafesë, jo 1 ato vihen në kushte të barabarta tregu. Ky është një investim prej 300 milionë euro, dhe është në interes të vendit të importojnë nga jashtë me cmim të ulët.”- nënvizoi Bode duke shtuar se skena në indisutrinë e kafesë është me përfitime për buxhetin shtetit “pasi do të kemi më shumë të ardhura për të njëjtën sasi të tregtuar, por dhe nga fakti se industria vendoset e gjitha nën taksim të njëjtë”
PS: PAKETA FISKALE KA EFEKTE KLIENTELISTE
Ora 11: 00 Sipas PS “Paketat fiskale është një grup ligjesh që nuk i adresohet qyetarëve, biznesit të vogël dhe të mesëm por “i adresohen miqve, atyre që lobojnë dhe paguajnë”- tha deputetja e PS-së Mimi Kodheli. Sipas saj paketa fiskale ka efekte minimale në buxhet dhe efekte kontradiktore dhe klienteliste. “Nuk reflektojnë krizën ekonomike që ka kapur vendin”- nënvizon Kodheli.
Ajo je shifrat sipas të cilave të ardhurat nga akcizat janë tepër të ulëta. “Të ardhurat tatimore kanë rënë me 6.1 %, të ardhurat jotatimore do të kenë këtë vit një rritje prej 12. 7 %. Kjo flet qartë për një shtim të evazionit fiskal, dhe korrupsionit”- tha Kodheli duke prezantuar propozimin e PS-së që akciza e naftës për bujqësinë të jetë zero.
PS PROPOZON 10 PIKAT
Partia Socialiste propozon paketën me 10 pika për përmirësimin e situatës ekonomike në vend. Ndër propozimet është taksimi progesiv, në mënyrë që kush fiton më shumë të taksohet më shumë dhe kush fiton më pak të taksohet më pak; ulja e TVSH për energjinë elektrike për faturat e qytetarëve, por edhe heqja e saj për barnat dhe shërbimet mjekësore. Zëvendësministri i Financave, Alfred Rrushaj, gjatë prezantimit të kësaj pakete fiskale, u shpreh se këto ndryshime do të ndikojnë në lehtësimin e të bërit biznes për operatorët ekonomikë si dhe do të bëjnë të mundur uljen e evazionit fiskal. Por kjo është kundërshtuar nga deputetët e opozitës, sipas të cilëve këto ndryshime ligjore nuk u adresohen dhe nuk mbrojnë bizneset apo qytetarët, si dhe s’kanë efekt pozitiv në buxhetin e shtetit.
Redaksia online
(sg/eç/shqiptarja.com)