Projektbuxheti i vitit 2026 u prezantua për herë të fundit në Kuvend, dhe pritet të kalojë në votim nen për nen dhe në tërësi. Kryetarja e Komisionit të Ekonomisë Milva Ekonomi, tha se janë pranuar kërkesat e 7 komisioneve për të shtuar shpenzimet për disa institucione me vlerë 506.9 milionë lekë, që do të mbulohen brenda tavaneve të parashikuara në buxhet.

SHTESAT E BËRA NË BUXHET

1. Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit shtohen 30 milionë lekë shpenzime personeli për mbajtjen e një strukture tranzitore punonjësish të miratuar me vendim Kuvendi jo më shumë se 28 punonjes për një periudhë 6-mujore, me qëllim mbylljen e plotë të aktitivetit administrativ të institucionit.

2. Në Këshillin e Lartë të Prokurorisë shtohen shpenzimet operative me 2 milionë lekë për nevoja të institucionit.

3. Në Inspektorin e Lartë të Drejtësisë shtohen shpenzimet kapitale me 123 milionë lekë për zhvillimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të menaxhimit të çështjeve dhe dokumenteve, në përputhje me rekomandimet e Rezolutës së Kuvendit.

4. Në Gjykatën Kushtetuese shtohen shpenzimet kapitale me 2 milionë lekë për përmirësimin e sistemit të mbrojtjes nga zjarri.

5. Shtohen 14 punonjës në organikë (6 këshilltarë dhe 3 koordinatorë për 3 komisionet e reja të përhershme, si dhe 5 këshilltarë pranë grupeve parlamentare);  Shtohen shpenzimet me 145 milionë lekë

6. Në Kontrollin e Lartë të Shtetit shtohen shpenzimet operative me 5 milionë lekë për organizimin e Konferencës së të Rinjve - EUROSAI.

7. Në Komisionerin e Prokurimit Publik shtohen shpenzimet operative me 7 milionë lekë për mirëmbajtjen e sistemit të ankimeve elektronike (faza II).

8. Në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave shtohen shpenzimet operative me 10 milionë lekë për procesin e digjitalizimit të arkivave.

9. Në Prokurorinë e Përgjithshme shtohen 17 punonjës në organikë (pa shtuar shpenzimet e personelit) për të adresuar çështjen e sigurisë në Prokuroritë.

10. Në Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit shtohen shpenzimet kapitale me 6 milionë lekë për financimin e projektit e-learning dhe për vendosjen e një tende kupole në ndërtesën e institucionit.

11. Në Institutin e Statistikave shtohen shpenzimet kapitale me 36.9 milionë lekë për realizimin e Censusit të Bujqësisë.

12. Në Komitetin Shtetëror për Kultet Fetare shtohen shpenzimet korrente me 60 milionë lekë për të kompensuar pagat e mësuesve dhe aktivitetin e tyre.

Këto ndryshime do të përballohen brenda tavaneve buxhetore tha Ekonomi.

“Totali i shtesave në buxhet prej 506.9 milionë lekësh do të përballohet nga këto burime: 436.9 milionë lekë pakësohen në Ministrinë e Financave në programin “Ekzekutimi i pagesave”, në shpenzime korrente, 70 milionë lekë pakësohen në grupin 87, programi “E-Qeverisja”, në shpenzime korrente”, tha Ekonomi.

Sa i takon 50 amendimeve të opozitës Ekonomi tha se cenonin parametrat fiskale pasi rrisnin me 278.9 mld lekë shpenzimet.

"Këto amendime shkonin në 278.9 miliardë lekë, që ishte dhe më e madhe sesa 10% e GDP-së, kërkesa që vinte nga e deputetët e opozitës. Në fakt shpenzimet tona zënë 31.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe kjo rritje kaq e lartë që kërkonte opozita cenonte pikërisht konsolidim fiskal të gjithë buxhetit të shtetit që ishte paraqitur përpara komisionit të ekonomisë dhe financave nga qeveria. Për këtë arsye, të gjitha nuk u pranuan amendimet që erdhën nga opozita, duke pasur parasysh se cenonin pikërisht të konsolidim fiskal dhe nuk ishin të argumentuar në mënyrë të qartë, burimin se nga do të realizoheshin shpenzimet”, tha Ekonomi.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:16
Projektligji i ri i Koncesioneve/ Ministrja Ibrahimaj: Për çdo kontratë do ketë analizë kosto përfitimi dhe studim fizibiliteti 

1765466221_WhatsAppImage20251211at16.14.44.jpeg

Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj ka prezantuar në Kuvend projektligjin ‘Për Koncesionet’, që është për miratim këtë të enjte në parlament. 
Ky projektligj parashikon që në Shqipëri nuk do të jepet më asnjë koncesion që vjen si ofertë e pa kërkuar, hiqet praktika e kontratave me tarifën simbolike 1 euro si dhe përcakton se Ministria e Financave do të miratojë paraprakisht çdo studim fizibiliteti e projekt-kontratë, rivlerëson transferimet, ndryshimet kontraktore, kërkon raporte tremujore monitorimi dhe përgatit raportin vjetor të portofolit PPP.

“Rrisia më e madhe që ky projektligj është lidhja e detyrueshme me projektet e PPP-së sistemi i kontrollit të menaxhimit të investimeve publike. Pra çdo projekt me ndikim të lartë fiskal ekonomik do të kalojë të njëjtat filtra si investimet publike. Analizë kosto përfitimi, fizibilitet teknik financiar dhe vlerësim për qëndrueshmëri afatgjatë. Ligji parashikon rregulla të qarta për bashkitë dhe njësitë vendore. Pra projektligji vendos kriteret e zhvillimit dhe mekanizma koordinimi në nivelin qendror për të shmangur angazhimin e bashkive në kontrata afatgjata pa kapacitete dhe pa vlerësimi të ndikimit fiskal”, tha Ibrahimaj. 

Një risi që i shtohet këtij ligji është edhe “Njësia e Zbatimit të Kontratës’, e cila do të ngrihet në autoritetet kontraktuese dhe do të jetë përgjegjëse për menaxhimin e kontratës, dhe monitorimin e performancës së kontratës, mënyrë për të shmangur zvarritjet.

“Ligji parashikon të caktojë një agjenci me rol teknik, këshillues dhe vendos standarde. Ai mbështet autoritetet, dhe i mbikëqyr kontratat. Njësitë e zbatimit të kontratave duke vendosur një standard të ri në cilësi dhe në transparencë dhe në mbikëqyrje. Ligji parashikon ngritjen e njësive të zbatimit të kontratave, ku për herë të parë do të ngrihen si njësi të posaçme pranë çdo autoriteti, të cilat do të monitorojnë kontratat dhe gjithashtu do të ruajnë në memorien institucionale për të gjitha kontratat koncesionare të miratuara për secilin institucion. Ligji funksionalizon regjistrin elektronik ku depozitohen të gjitha dokumentet kryesore të procedurave të kontratave dhe duke rritur në të mënyrën transparencën dhe llogaritjen. Ligji përditëson gjithashtu të gjitha përcaktimet kryesore që lidhen dhe përputhen direkt me direktivat e BE-së që janë të lidhura me koncesionet. Ligji parashikon një kontroll fiskal të fortë për çdo projekt dhe çdo ndryshim me ndikim financiar i nënshtrohet miratimit nga Ministria e Financave. Raportimi bëhet katër herë në vit me raportin vjetor i paraqitet Kuvendit”, tha Ibrahimaj.

Për koncesionet gara do të jetë vetëm me procedurë të hapur, ndërsa kur lidhen kontratat e ‘Partneritetit Publik Privat’ do të ketë edhe procedurë e kufizuar; procedurë konkurruese me negociim dhe procedurë me negociim me shpallje paraprake të njoftimit.

Përmes projektligjit theksohet se institucionet do të bëjnë publike çmimin e ofertës, listën e çmimeve, katalogun, informacionin lidhur me kriteret e përzgjedhjes së ofertës, dokumentet publike. Deri më tani këto janë konsideruar konfidenciale nga operatorët privatë. 

Aktualisht në vend janë të lidhura 233 kontrata koncesioni apo PPP-ja tha ministrja. 

“Deri në vitin 2024 janë 233 kontrata koncesioni apo PPP-ja, kryesisht në sektorin e infrastrukturës dhe energjisë, me një peshë investimesh që kap 27% të prodhimit të brendshëm bruto. Nga këto vetëm 11 kontrata kanë mbështetje buxhetore direkte dhe pagesat për to janë 2.2% të të ardhurave tatimore, duke qenë në linjë me ligjin që është në fuqi”, tha ministrja Ibrahimaj.