Avokati i ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, Ardian Visha, foli për mediat pas seancës gjyqësore të zhvilluar ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme për masakrën e Gërdecit.

Ndër të tjera, ai deklaroi se në mënyrë të padrejtë GJKKO nuk po pranon 9 dëshmitë e disa ish-zyrtarëve të lartë amerikanë dhe europianë lidhur me çështjen. Sipas avokatit Visha, dëshmitë janë përcaktuese për çështjen.

“Barazi armësh në proces. Ashtu siç SPAK është lejuar të marrë prova në SHBA, në përputhje me ligjet e atij vendi dhe ne kemi kërkuar për të sjellë po nga ai territory dëshmitë e 9 subjekteve me një relevancë të jashtëzakonshme për çështjen dhe zotin Mediu. Kujtoj këtu për analogji rolin që dëshmi të caktuara të gjeneralëve amerikanë kanë luajtur dhe po luajnë sëfundmi për procesin e zotit Thaçi. Meqenëse gjykata me të padrejtë sikurse jeni dëshmues këtë të drejtë tonën, ne kemi marrë këto dëshmi në formën e lejuar nga ligji amerikan. Me deklarim nën betim. Këto akte janë sjellë nëpërmjet ambasadës së Shqipërisë në ministrinë e Drejtësisë. Çuditërisht kanë përfunduar në KLGJ sikurse keni dijeni. Me të drejtë i kemi kërkuar gjykatës që t’i sjellë në gjykatë dhe t’i bëjë pjesë të fashikullit të 9 dëshmitë përfshirë letrat e 6 kongresmenëve amerikanë, pas besojmë se kanë një domethënie përcaktuese në çështjen tonë. Gjykata dhe këtë e rrëzoi’,- tha Visha.

Vetë ish-ministri Mediu thotë se gjyqi ka prapavijë politike dhe se është një proces i orkestruar.

“Jemi përballë një fakti të një gjyqi popullor të organizuar politikisht që s’ka lidhje me akuzën për ministrinë e Mbrojtjes. Po ta shikoni të gjithë zinxhirin e marrëdhënies që hapi çështjen në mënyrë të kundraligjshme. Po ashtu, krijoi opinionin publik me paratë e Fondacionit Soros, ndikimin e këtij fondacioni në reformën në drejtësi, por deri te Gjykata e Strasburgut gjërat janë të lidhura në atë mënyrë jo për të bërë atë që është në interes të drejtësisë, por në interes të disa grupeve politike të caktuara në Shqipëri, të cilat janë evidente”,- tha Mediu.


Lajmi kryesor:

Masakra e Gërdecit/ Mediu në GJKKO i bezdisur nga familjarët e viktimave: 15 vite që ju dëgjoj! I ati i Edison Durdës së vrarë: Sot kishte ditëlindjen, do mbushte 25 vjeç