Erion Veliaj pritet të paraqitet të premten në Gjykatën Kushtetuese ku do të shqyrtohet ankimimi i tij për vendimin e marrë nga qeveria për shkarkimin e tij nga detyra si kryetar i Bashkisë së Tiranës.
I ftuar në “Repolitix” me Denis Mingën në Report Tv, avokati Idejat Beqiri tha se Kushtetuesja do të analizojë ligjshmërinë e procesit të ndjekur për shkarkimin e Veliajt.
Për avokatin, kryebashkiaku duhej dëgjuar nga Këshilli Bashkiak para propozimit për shkarkimin e tij. Në një dëgjesë, Veliaj duhej të thirrej edhe nga Këshilli i Ministrave, para se të merrej vendimi për shkarkimin e tij.
“Në fakt, mbrojtja e ka shumë të thjeshtë këtë gjykim, sepse Gjykata Kushtetuese, në situatën ku ndodhet dhe si ka ecur kjo punë, ajo në thelb do të përqendrohet vetëm në aspektin e ligjshmërisë së veprimeve. Nuk do të futet shumë në thelbin e çështjes. Do të trajtojë vetëm problemet e anës së procesit të rregullt ligjor. Ti si këshill bashkiak kishe detyrën ta thërrisje si kryetarin e bashkisë dhe ta dëgjoje. Këtë gjë nuk e bëri këshilli bashkiak. E tillë është edhe vendimmarrja e Këshillit të Ministrave. E kishte për detyrë ta thërriste. Pastaj do të vendoste. Nuk e ka bërë një gjë të tillë. Vendimi vetëm për këtë shkak është absolutisht i pavlefshëm”,- tha Beqiri.
Lajmi kryesor:
RAPORTI i ‘Venecias’ që do përdorë Veliaj në Kushtetuese, Daci: Konvergon 100% me mbrojtjen tonë! Vendimi i gjykatës, jetik për autonominë e pushtetit vendor












