Erion Veliaj pritet të paraqitet të premten në Gjykatën Kushtetuese ku do të shqyrtohet ankimimi i tij për vendimin e marrë nga qeveria për shkarkimin e tij nga detyra si kryetar i Bashkisë së Tiranës.

I ftuar në emisionin “Repolitix” me Denis Mingën në Report Tv, avokati që do të mbrojë Veliajn në Kushtetuese, Jordan Daci, tha se rasti i kryebashkiakut të Tiranës nuk ka të bëjë vetëm me fatin politik të këtij të fundit, por është jetik për autonominë e pushtetit vendor si parim.

“Nuk kemi të bëjmë me veprimtari kontrolli administrativ, por kemi të bëjmë në radhë të parë me raport midis pushteteve; dhe përveç një shkarkimi të një individi, kemi të bëjmë edhe me një konflikt mes organeve të karakterit kushtetues. Thelbi i meritave të shkarkimit ose jo është pjesa e parë — nëse ekzistojnë shkaqet — dhe pjesa e dytë është sesa janë respektuar garancitë kushtetuese”,- tha Daci.

Më tej, avokati bëri me dije se për mbrojtjen e Veliajt do të përdoren edhe konkluzionet e raportit të Komisionit të Venecias të Këshillit të Evropës mbi ndikimin e ndalimit të zgjatur para gjyqit të kryetarëve të opozitës në ushtrimin e qeverisjes demokratike vendore në Turqi.

Ky raport i publikuar më 24 tetor të këtij viti, është prodhuar nga Venecia me kërkesë të Marc Cools, President i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës.

Mbrojtja e kryebashkiakut Veliaj do t’i referohet pikave 33, 34, 39, 57, 60, 61, 64, 68, 72,73 të raportit.

Avokati Daci theksoi se më esenciale janë pika si ajo 57 që thotë se “Fokusi kryesor i analizës së mëposhtme është te kryetarët e zgjedhur, por Komisioni dëshiron të theksojë se kryebashkiakët e zgjedhur ose të emëruar në mënyrë indirekte gjithashtu kanë nevojë për mbrojtje kundër pezullimit arbitrar, dhe se pezullimi arbitrar mund të konsiderohet shkelje e parimeve të vetëqeverisjes vendore.”

“Ajo (raporti) ka dy pjesë të rëndësishme. Pjesa e parë nuk ka të bëjë me gjykimin kushtetues; shërben në kuptimin e diskutimit se si plotësohen kushtet.

Në pjesën tjetër, që konvergon 100% me mbrojtjen tonë, ka të bëjë me disa elementë që në radhë të parë shihen si një konflikt mes pushteteve”,- tha Daci.

(Kliko këtu për të lexuar raportin e plotë)

(Kliko këtu për të lexuar raportin e plotë në gjuhën angleze)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:48
‘Vendimi i vitit 2021’, Topuzi: Kushtetuesja tha se kryebashkiaku s’mund të shkarkohet pa u dëgjuar! Të shfrytëzojë rastin 'Veliaj' për të sqaruar nenin 62

 

Gazetari Kujtim Topuzi thotë se Gjykata Kushtetuese tashmë e ka një standard lidhur me shkarkimin e kryetarëve të bashkisë nga Këshilli i Ministrave.

I ftuar në “Repolitix” me Denis Mingën në Report Tv, për të diskutuar mbi seancën që do të mbahet të premten në Kushtetuese lidhur ankimimin e kryebashkiakut Erion Veliajt për shkarkimin e tij, Topuzi tha se vendimi i vitit 2021 i Gjykatës Kushtetuese për Zef Hilën – asokohe kryebashkiak i Vaut të Dejës – thotë qartë se kryetari i bashkisë nuk mund të shkarkohet pa u thirrur më parë në një dëgjesë.

“Pjesa e procesit të rregullt ligjor edhe për mua do të jetë pika kyçe në diskutim dhe në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese, sepse vetë gjykata në jurisprudencën e saj ka një vendim të vitit 2021 për kryebashkiakun Zef Hila. Ka hedhur poshtë vendimin e kryeministrit me arsyetimin që nuk mund të shkarkohet një kryebashkiak pa e dëgjuar”,- tha Topuzi.

Më tej, për gazetarin Topuzi është e rëndësishme që Gjykata Kushtetuese të shfrytëzojë pozitivisht rastin e Veliajt për të qartësuar përfundimisht nenin 62 të ligjit për qeverisjen vendore, që u përdor nga Këshilli Bashkiak i Tiranës për shkarkimin e kryetarit.

“Do duhet të përfitojë nga kjo çështje Gjykata Kushtetuese që ta sqarojë njëherë mirë nenin 62 të ligjit. Vetë kryeministri Rama tha se ligji është i paqartë”,- tha Topuzi.

Ora 22:29
Seanca për Veliajn, Beqiri: Kushtetuesja do të analizojë përse kryebashkiaku nuk u dëgjua nga Këshilli Bashkiak e Qeveria para shkarkimit

 

Erion Veliaj pritet të paraqitet të premten në Gjykatën Kushtetuese ku do të shqyrtohet ankimimi i tij për vendimin e marrë nga qeveria për shkarkimin e tij nga detyra si kryetar i Bashkisë së Tiranës.

I ftuar në “Repolitix” me Denis Mingën në Report Tv, avokati Idejat Beqiri tha se Kushtetuesja do të analizojë ligjshmërinë e procesit të ndjekur për shkarkimin e Veliajt.

Për avokatin, kryebashkiaku duhej dëgjuar nga Këshilli Bashkiak para propozimit për shkarkimin e tij. Në një dëgjesë, Veliaj duhej të thirrej edhe nga Këshilli i Ministrave, para se të merrej vendimi për shkarkimin e tij.

“Në fakt, mbrojtja e ka shumë të thjeshtë këtë gjykim, sepse Gjykata Kushtetuese, në situatën ku ndodhet dhe si ka ecur kjo punë, ajo në thelb do të përqendrohet vetëm në aspektin e ligjshmërisë së veprimeve. Nuk do të futet shumë në thelbin e çështjes. Do të trajtojë vetëm problemet e anës së procesit të rregullt ligjor. Ti si këshill bashkiak kishe detyrën ta thërrisje si kryetarin e bashkisë dhe ta dëgjoje. Këtë gjë nuk e bëri këshilli bashkiak. E tillë është edhe vendimmarrja e Këshillit të Ministrave. E kishte për detyrë ta thërriste. Pastaj do të vendoste. Nuk e ka bërë një gjë të tillë. Vendimi vetëm për këtë shkak është absolutisht i pavlefshëm”,- tha Beqiri.

Ora 22:21
Të premten seanca në Kushtetuese për shkarkimin e Veliajt, ja 3 skenarët e mundshëm sipas avokatit Çaça

 

I ftuar në “Repolitix’ me Denis Mingën në Report Tv, avokati Përparim Çaça parashikoi 3 skenarë të mundshëm në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese, e cila të premten do të zhvillojë seancë lidhur me ankimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, për shkarkimin e tij.

“Besoj që edhe unë jam dakord — është pothuajse e pamundur të kemi vendimmarrje të premten. Njëra mund të jetë që ankimi i zotit Veliaj të pranohet dhe të shpallet antikushtetues dekreti, mund të shpallet antikushtetues dekreti i Presidentit dhe të rrëzohet ankimi i Veliajt. Mund që Gjykata Kushtetuese të mos japë një vendim, supozohet që ankimi është i rrëzuar”,- tha Çaça.

K.M/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 3 Dhjetor, 08:56

    Çfarë mendoni për lëvizjen e Salianjit brenda PD?