Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko në konferencën Ndërkombëtare mbi Ekonominë, Biznesin, Inovacionin dhe Teknologjinë, të organizuar nga Universiteti i Tiranës, u shpreh se teknologjia është themeli mbi të cilin do ngrihen ekonomitë e së ardhmes.
“Transformimi digjital nuk është më një opsion, por është themeli mbi të cilin do të ngrihen ekonomitë e së ardhmes. Kjo kërkon jo vetëm investime në infrastrukturë digjitale, por edhe në arsim, kërkim dhe inovacion, në mënyrë që teknologjia të mos jetë thjesht një mjet, por një faktor transformimi ekonomik”, tha Sejko.
Sejko deklaroi se Banka e Shqipërisë ka nisur të përdorë teknologjinë e avancuar në analizat që kryen përfshirë dhe inflacionin.
“Në Bankën e Shqipërisë po aplikojmë modele të përparuara për parashikimin e inflacionit, po përdorim analiza të të dhënave për vlerësimin e rreziqeve në sistemin financiar, po digjitalizojmë mënyrën e marrjes së statistikave dhe të mbledhjes së të dhënave, si dhe po forcojmë transparencën përmes mjeteve të reja të komunikimit publik”, u shpreh Sejko.
Në këtë kohë gjithnjë e me shumë digjitale, Sejko thotë se kërkohen strategji të reja zhvillimi, që ndërthurin dijen, inovacionin dhe teknologjinë, me politikat publike dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor.
Komente











