Sekretari i Vatikanit vjen në Tiranë, e pret ministrja e Jashtme: Na lidh historia e heroit Skënderbeu! Folëm për dënimin e luftës në Ukrainë dhe bashkëjetesën fetare

Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, Imzot Paul Richard Gallagher erdhi në Tiranë, ku u prit nga ministrja e Jashtme Olta Xhaçka. Në fjalën e saj për mediat, Xhacka tha se ka marrëdhënie historike mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë që shkon përtej atyre institucionale. 

Po ashtu u shpreh se folën për dënimin e luftës në Ukrainë dhe bashkëjetesën fetare.

“Me Vatikanin na lidh historia e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, na lidh e Shenjta Nënë Terezë, figura që bëjnë të ndihet krenar çdo shqiptar, pavarësisht përkatësisë fetare.  I shpreha Imzot Gallagher mirënjohjen tonë për shpalljen e Lumturimit të 38 martirëve në përfaqësim të Kishës Katolike shqiptare, si dhe krenarinë tonë për emërimin e Don Ernest Troshanit si Kardinal Nderi në Vatikan. Kjo është një shenjë e qartë vlerësimi jo vetëm për rezistencën e Kishës Katolike por edhe të besimtarëve katolikë dhe të mbarë popullit shqiptar.

Sigurisht folëm edhe për zhvillimet në rajon e më gjerë, për agresionin rus në Ukrainë dhe pasojat e tij dramatike jo vetëm për Ukrainën e popullin e saj heroik, por edhe për mbarë botën. I shpreha Imto Gallaghaer vlerësimin e Shqipërisë për qëndrimin e qartë e të guximshëm moral që Selia e Shenjtë dhe Ati i Shenjtë dhe rolit që ata kanë luajtur, duke dënuar luftën e duke bërë lëshuar mesazhe të forta në mbeshtetje të paqes.

Përurimi i Katedrales Katolike të Prishtinës me emrin e të Shenjtës Nënë Tereza, ishte një moment vërtet i bukur që dëshmoi jo vetëm vëmendjen e veçantë dhe në rritje të Selisë së Shenjtë ndaj Kosovës, por edhe diversitetin dhe tolerancën e Kosovës. Gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri Papa Françesku u shpreh se Shqipëria është një vend i vëllazërisë fetare. Por bashkëjetesa fetare është një fakt historik i të gjithë shqiptarëve dhe ne ndihemi çdo ditë krenarë për këtë vlerë të kombit tonë”, tha ajo.

Po ashtu përmendi projektet e Selisë së Shenjtë dhe Kishës Katolike në vedin tonë që kanë rëndësi të madhe, sidomos në shërimin e sëmundjeve komplekse.

“Selia e Shenjtë dhe Kisha Katolike janë shumë aktivë në hapësirën shqiptare me një sërë iniciativash e projektesh në fushën e arsimit, kulturës, shëndetësisë, ndihmës sociale. Biseduam edhe për mundësinë  e marrëveshjes së bashkëpunimit me Spitalin Pediatrik “Bambin Gesù”, për trajtimin e rasteve urgjente dhe shërimin e sëmundjeve komplekse të fëmijëve shqiptarë”.

Sekretari i Vatikanit, Imzot Paul Richard Gallagher u shpreh se në takimin e tyre biseduan rreth marrëdhënieve dypalëshe dhe të ardhmen e Shqipërisë në BE.

“Diskutuam për marrëdhëniet tona bilaterale dhe kontributin që Kisha Katolike Shqiptare ka në shoqërinë tuaj në veçanti sa i përket fushave të shëndetësisë dhe arsimit. Për sa i përket të ardhmes europiane të Shqipërisë ne jemi të bindur që do vazhdojmë të japim ndihmesën tonë për unitetin e plotë të gjithë sferës europiane, duke patur parasysh edhe luftën në Ukrainë dhe ndikimet e saj në Rajon”, tha Gallagher.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Të ardhurat nga puna jashtë vendit arritën në 458 milionë € për 9 muaj! Banka e Shqipërisë: 17% më shumë se në 2023

Të ardhurat nga puna jashtë vendit arritën në 458 milionë € për 9 muaj! Banka e Shqipërisë: 17% më shumë se në 2023