Sekrete të vogla për tryezën e festave të fundvitit...

Sekrete të vogla për tryezën e festave të  fundvitit...

Foto ilustruese

Secili prej nesh e di fare mirë rëndësinë dhe simbolikën që kanë festat e fundvitit, angazhimin e amvisave dhe padurimin e fëmijëve për t'u mbledhur pranë tavolinës.

Dikush mund të thotë që ne e teprojmë me ushqimin dhe pijet në këto ditë, ndaj ajo që duhet të na lodhë më shumë është atmosfera sesa ushqimi.

Gjithsesi, tradita ngul këmbë që disa ushqime të mos i mungojnë tryezës, kështu që ne po jua prezantojmë sërish, bashkë me recetat përkatëse dhe sekretet e tyre për t'i kënaqur sa më shumë pjesëtarët e familjes suaj.

Gjeli i detit, simbol i festave të fundvitit 

Marinojeni një natë më parë, bollshëm, me kripë, lëkurë limoni, lëkurë portokalli dhe rozmarinë.

Lëreni të rrijë i marinuar në frigorifer për gjithë natën. Nga dreka nxehni furrën në 160 gradë, vëreni gjelin mbi një zgarë në një tepsi të përshtatshme, në të cilën keni hedhur 2-3 filxhanë ujë.

Piqeni për 3-4 apo dhe 5 orë të mira, në varësi të përmasave të gjelit, duke e lagur me lëngun e tepsisë pas kalimit të orës së parë dhe më pas çdo 30 minuta.

Pas kalimit të dy orëve, në varësi të furrës, mund të jetë e nevojshme ta ktheni gjelin.

Për ta provuar nëse është bërë, ngulni në pjesën më të trashë të gjoksit një thikë të mprehtë. Nëse nga e çara e thikës rrjedh fare pak lëng i tejdukshëm, ose nuk rrjedh fare lëng, atëherë gjeli është gati.

Në të kundërt, lëreni në furrë për rreth 30 minuta të tjera dhe pastaj kontrollojeni sërish.

Përsheshi

Në disa zona e bëjnë me bukë gruri, në disa zona të përzierë, por mua më pëlqen veçanërisht ashtu siç e bënte mamaja ime, me bukë misri dhe presh.

Merrni bukë misri të një dite më parë, duke llogaritur rreth 150 gr për person dhe copëtojeni në copa të vogla.

Merrni 2-3 preshë, ndajini në mes për së gjati dhe pastaj pritini në feta të holla.

Zbutini me pak gjalpë dhe shtojini lëngun që është mbledhur në tepsinë mbi të cilën është pjekur gjeli.

Kujdes me kripën, ka shumë mundësi të mos jetë e nevojshme të shtoni fare, sepse lëngu i tepsisë do të jetë mjaft i kripur.

Jepini valë dhe gatuajeni për rreth 10 minuta.

Shtoni bukën e misrit dhe jepini valë përsëri, duke e përzierë me kujdes.

Nëse ju duket se përsheshi është i thatë, shtojini dhe pak lëng. Pasi të marrë valë hiqeni nga zjarri.

Perime të ziera ose të pjekura të dimrit

Prijini karotat, lulelakrën dhe brokolin në copa të njëtrajtshme.

Jepini valë një tenxhereje me ujë me kripë. Hidhni në të karotat.

Pasi të marrë valë, shtoni brokolin dhe lulelakrën.

Pasi të marrë valë përsëri, uleni zjarrin dhe gatuajini për 3-4 minuta. Pas 3 minutash hiqni dhe karotat dhe hidhini dhe ato.

Nxirrni brokolin dhe lulelakrën nga uji dhe hidhni në një enë me ujë të ftohtë.

Lani mirë patatet dhe panxharët. Spërkatini me kripë, rigon dhe piper.

Mbështillini me letër alumini dhe piqini në furrë në 180 gradë deri sa të bëhen.

Lërini të ftohen pak, hiquni letrën e aluminit, pritini në copa të përshtatshme dhe marinojini me vaj ulliri. Shërbejini perimet në temperaturë dhome.

Bakllavaja dhe kadaifi, një tjetër simbol i këtyre festave

Për bakllavanë ka me dhjetëra, në mos me qindra, receta.

Shpesh herë nikoqiret bëjnë konkurrencë me njëra-tjetrën se kush do të bëjë petën më të hollë, mbushjen më të mirë dhe bakllavanë me më shumë petë.

Shumë prej tyre janë mjeshtre të vërteta të kësaj ëmbëlsire. Ajo që dua të theksoj unë është kujdesi që duhet pasur në dy detaje mjaft të rëndësishme:

-Pjekja. Bakllavaja duhet pjekur ngadalë në temperaturë të ulët, jo më shumë se 150 gradë. Është shumë e rëndësishme që petët të piqen, pothuajse, në mënyrë të njëtrajtëshme.

Nëse nxitoni dhe temperatura e furrës do të jetë më e lartë se kaq, petët e sipërme do të digjen, ndërkohë që brenda do të jetë e papjekur.

-Nuk duhet në asnjë mënyrë të harroni të shtoni pak limon në sherbet.

Sherbeti i bakllavasë dhe kadaifit është mjaft i përqëndruar, kështu që pas ditës së parë do të fillojë të sheqeroset, pra do të krijojë kristale sheqeri.

Kjo do ta bëjë ëmbëlsirën mjaft të pakëndshme në të ngrënë.

Aciditeti i limonit do ta pengojë formimin e kristaleve të sheqerit dhe sherbeti do të ngelet gjithmonë i lëngshëm./Shije

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Humbi jetën pasi ra nga 10 metër lartësi në vendin e punës, zbulohen detaje të reja lidhur me 41- vjeçarin shqiptar në Itali

Humbi jetën pasi ra nga 10 metër lartësi në vendin e punës, zbulohen detaje të reja lidhur me 41- vjeçarin shqiptar në Itali