Testosteroni konsiderohet si shtylla kryesore e shëndetit mashkullor, duke ndikuar jo vetëm në aspektin fizik, por edhe në mirëqenien mendore dhe emocionale. Në ditët e sotme, rënia e nivelit të këtij hormoni po kthehet në një shqetësim gjithnjë e më të përhapur, i lidhur ngushtë me stilin modern të jetesës. I ftuar në studion e “Rreze Dielli” në Report Tv, specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja shpjegon rolin e testosteronit, shkaqet që ndikojnë në uljen e tij, si dhe disa mënyra natyrale për ta mbajtur në nivele optimale.

“Testosteroni është hormoni kryesor mashkullor dhe mbetet i rëndësishëm gjatë gjithë jetës, që nga formimi në moshë të re e deri në moshë madhore. Prodhimi i tij kryesor ndodh në testikuj, ndërsa te femrat prodhohet në vezore dhe në gjendrat mbiveshkore”, thekson në fillim të bisedës Ylli Merja.

Ai vijon duke renditur funksionet kryesore të testosteronit tek meshkujt:

  • Ndikon në zhvillimin fizik dhe muskulor, duke rritur forcën dhe ndihmuar në ndërtimin e masës muskulare.
  • Forcon kockat dhe rrit densitetin kockor, duke ndihmuar në parandalimin e osteoporozës.
  • Rrit dëshirën seksuale (libidon) dhe ndikon në performancën seksuale; edhe te femrat ndikon në rritjen e dëshirës seksuale.
  • Ka rol në funksionin mendor dhe emocional, duke ndikuar në motivim, përqendrim dhe humor; nivelet e ulëta shoqërohen me lodhje, mungesë energjie dhe gjendje depresive.
  • Stimulon prodhimin e rruazave të kuqe të gjakut, duke kontribuar në rritjen e energjisë dhe forcës.
  • Ndihmon në metabolizëm dhe në shpërndarjen e yndyrës në trup; nivelet e ulëta lidhen me shtim të yndyrës, veçanërisht në zonën e barkut.
  • Rregullon funksionin riprodhues dhe prodhimin e spermës.

“Testosteroni është thelbësor për forcën, libidon dhe stabilitetin emocional. Sot vihet re një rënie graduale e niveleve të tij në shkallë globale, krahasuar me dekadat e mëparshme. Problemi shpesh nuk qëndron te mungesa totale e testosteronit, por te mungesa e testosteronit të lirë, që është forma aktive në organizëm. Pasojat më të shpeshta janë ulja e fertilitetit, mungesa e energjisë, shtimi në peshë dhe problemet me dëshirën seksuale. Ky hormon ndikohet shumë nga mënyra si jetojmë”, thekson më tej Ylli Merja.

Shkaqet që ndikojnë në uljen e testosteronit:

  • Stresi kronik: rrit kortizolin dhe ul testosteronin.
  • Ushqimi modern: i pasur me sheqerna, ushqime të përpunuara dhe yndyrna të dëmshme, ndërsa mungojnë elementë si zinku, magnezi dhe yndyrnat e mira.
  • Mbipesha dhe yndyra abdominale: rrisin konvertimin e testosteronit në estrogjen.
  • Jeta sedentare: mungesa e aktivitetit fizik ul stimulimin hormonal.
  • Gjumi i dobët ndikon drejtpërdrejt në uljen e testosteronit.
  • Mungesa e ekspozimit në diell dhe nivelet e ulëta të vitaminës D.
  • Stili modern i jetesës: shumë kohë para ekranit, pak lëvizje dhe stimulim i tepërt.
  • Konsumi i alkoolit dhe duhanit dëmton funksionin hormonal.
  • Ekspozimi ndaj kimikateve në mjedis: mikroplastika, pesticidet dhe substanca në kozmetikë që imitojnë estrogjenin.

Në përgjithësi, kemi një kombinim faktorësh si ushqimi i dobët, stresi, mjedisi toksik dhe mungesa e aktivitetit fizik.

Testosteroni i ulët shoqërohet me lodhje, dobësi, rënie të dëshirës seksuale, humbje të masës muskulore, shtim në peshë dhe humor të ulët. Ndërsa nivelet shumë të larta mund të sjellin agresivitet dhe çrregullime hormonale e metabolike”, thotë Merja.

Si të rrisim testosteronin në mënyrë natyrale

  • Ushtrime fizike, veçanërisht ngritje peshe 3–4 herë në javë.
  • Gjumi i rregullt 7–8 orë në natë.
  • Mbajtja në balancë e vitaminës D.
  • Reduktimi i yndyrës trupore dhe balancimi i estrogjenit.
  • Kufizimi i alkoolit dhe shmangia e produkteve plastike dhe kimikateve sintetike.
  • Ushqime të rekomanduara: farat e zeza, mishi, vezët, farat e kungullit, vaji i ullirit, mjalti, arrat, bajamet, lajthitë, si dhe erëza të ndryshme nga piperi miks tek vanilja e kanella.

Ndër bimët mjekësore që ndihmojnë në rritjen e testosteronit përmenden: epimediumi, tribulus terrestris dhe trumza mikromeria Juliana. Hithra ndihmon në balancën hormonale, ndërsa ashwagandha dhe bari i bletës ndihmojnë në uljen e stresit. Qumështi i bletës kombinuar dhe me tartufin është një rekomandim shumë i mirë për ata që kanë probleme me testosteronin e ulët. Gjithashtu, bimë si angjinarja, radhiqja dhe panxhari mbështesin funksionin e mëlçisë dhe ndihmojnë në eliminimin e toksinave.