Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita mbajti një konferencë për shtyp këtë të shtunë. Ai u pyet nga gazetarët në lidhje me një operacion të policisë greke kundër trafikut të kokainës nga Kolumbia, ku mes të arrestuarve është edhe një shqiptar.

Hita nuk bëri publik emrin për shkak të hetimit, por tha se personi është i dënuar në Shqipëri për vrasje dhe është me rrezikshmëri të lartë.

“Kemi pasur një shkëmbim në kohë reale të informacionit me homologët grekë. Ata na kanë bërë me dije për një operacioni në Athinë, ku kanë kapur një sasi lëndë narkotike kokaine dhe janë arrestuar disa shtetas shqiptare.

Mes tyre është edhe një person në kërkim për llogari të Shqipërisë, i dënuar për vrasje, me rrezikshmëri të lartë, por ngaqë informacioni është konfindencial nuk mund të bëj publik emrin. Ne kemi vazhduar verifikimet në të gjithë pjesën sa na takon ne, duke filluar hetimet tona në lidhje me këtë rast të përfshirë në këtë aktivitet kriminal”, tha Hita.

Operacioni u zhvillua mbrëmjen e së mërkurës në aeroportin e Athinës, ku lënda narkotike (100 kg kokainë) ishte kamufluar mes ngarkesës me lule, në një përpjekje për ta futur atë në territorin grek pa u zbuluar.