Skënder Hita ka vizituar në banesën e tij policin Edison Adri, i cili u plagos gjatë operacionit në malin e Bodenit, në Maliq, për kapjen e një personi të kërkuar, ku humbi jetën kolegu i tij, Dëshmori i Atdheut, Enea Mekolli.
Pas përfundimit të trajtimit mjekësor në Itali dhe dy ndërhyrjeve kirurgjikale, Adri është kthyer në shtëpi, ku vijon rikuperimin. Kryepolici Hita u takua me të dhe familjarët e tij, duke i përcjellë mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe mirënjohjen për sakrificën e tij në përmbushje të detyrës.
“Edison, së pari, gëzohem shumë që je kthyer në shtëpi, pas një kurimi të vështirë në Itali. Kam ardhur sot këtu jo vetëm si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, por mbi të gjitha si koleg dhe si një prej njerëzve të familjes së madhe të Policisë, dhe për fjalën e dhënë se do të jem krah teje, ashtu siç do të jem krah çdo punonjësi policie që punon dhe sakrifikon për ligjin dhe qytetarët. Sakrifica e Eneas, tashmë Dëshmor i Atdheut dhe sakrifica jote nuk do të harrohen kurrë. Jam shumë i kënaqur që sot po të shoh këtu, në shtëpinë tënde, duke u rikuperuar. E di që vuajte shumë dhe se rruga e rikuperimit kërkon kohë dhe forcë, por dua të dish se nuk je vetëm. Policia e Shtetit, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Qeveria shqiptare janë pranë teje dhe vlerësojnë e mbështesin çdo sakrificë që i shërben sundimit të ligjit. Ti e bëre detyrën tënde, tani është detyra jonë të vijojmë të jemi pranë teje, në çdo kohë. Uroj që dita-ditës të bëhesh më mirë, të marrësh veten plotësisht dhe të rikthehesh sa më shpejt në detyrë, aty ku të presin kolegët dhe detyra në shërbim të qytetarëve”, i tha Hita.
Adri falënderoi Hitën për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme, si dhe të gjithë ata që kontribuuan për trajtimin dhe kurimin e tij jashtë shtetit.










Komente
Komento