Debati për pagat e magjistratëve nuk është thjesht një debat financiar. Ai lidhet drejtpërdrejt me besimin e qytetarëve te Drejtësia, me pavarësinë e gjyqësorit, me përgjegjësinë e institucioneve dhe me moralin e një shteti që duhet të garantojë drejtësi për të gjithë.

Kërkesa për paga që mund të arrijnë në nivelet 6–9 mijë euro në muaj, nëse shoqërohet me pretendimin për zbatimin e një formule të re të pagave, ngre një pyetje të rëndësishme:

A mund të kërkohet një rritje kaq e madhe e shpërblimit të magjistratëve, në një vend ku paga mesatare, pensionet dhe të ardhurat e shumicës së qytetarëve janë shumë më të ulëta, pa u përballur me një debat serioz etik dhe shoqëror?

Duhen shtuar akoma dhe më shumë pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve?

Me reformën në drejtësi dhe më shumë se dyfishimin e buxhetit vjetor për drejtësinë(pa përfshirë buxhetin e Ministrisë së Drejtësisë), nga 122 milionë euro në vitin 2016 në 268 milionë euro në vitin 2025, paga mesatare mujore e një magjistrati (gjykatësi apo prokurori) tek ne, në 8 vitet e fundit është rritur mbi tre herë. Ajo sot qendron dukshëm mbi pagën mesatare të një magjistrati në Ballkanin Perëndimor.

Paga mesatare 2016-2025 (në euro, sipas kursit mujor të këmbimit)
Shqipëri 2016                     1,185 euro
Shqipëri 2022                     2,642 euro
Shqipëri 2025                     3,435 euro
 Vendet e Ballkanit Perëndimor 2025    3,172 euro

Nëse pagat e magjistratëve janë rritur mbi tre herë që nga viti 2016, atëherë kërkesa për një rritje të re duhet të shoqërohet me një analizë të plotë të rezultateve të reformës së pagave, dhe jo thjesht me njӕ arësyetim-artificë të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

Nuk mjafton të thuhet se magjistratët kanë përgjegjësi të mëdha. Kjo është e vërtetë. Por duhet të shpjegohet edhe se çfarë rezultatesh konkrete ka sjellë rritja e pagave të magjistratëve me rreth tri here për qytetarin shqiptar?

A kemi ulje të kohëzgjatjes së proceseve gjyqësore? A kemi përmirësim të arsyetimit të vendimeve? Ulje të stokut të dosjeve? Rritje të transparencës? Përmirësim të aksesit në Drejtësi? Forcim të integritetit dhe llogaridhënies së magjistratëve dhe përmirësim të besimit të qytetarëve te gjyqësori?

Këto pyetje nuk synojnë të zhvlerësojnë punën e magjistratëve. Përkundrazi, ato synojnë të vendosin në qendër të debatit marrëdhënien midis shpërblimit publik dhe përgjegjësisë publike të tyre.

Një pagë e lartë mund të jetë e justifikuar. Por një pagë e lartë pa standarde të matshme të përgjegjësisë, krijon perceptimin e drejtë tek qytetari, të një sistemi të drejtësisë, ku privilegji financiar është më i shpejtë se reforma institucionale.

A është etike një pagë 6–9 mijë euro në muaj në Shqipëri? Kufiri moral i një page

Më rritjen e kërkuar nga organet e Drejtësisë, madje gati në formën e një urdhri mbi strukturën që menaxhon Buxhetin e Shtetit, paga mesatare e magjistratëve kërcen pranë nivelit të pesë apo gjashtë mijë eurove në muaj, ndërsa paga e niveleve të larta të Drejtësisë në 8-9 mijë euro. Ndërsa rëndimi i Buxhetit të Shtetit është me 40 milionë euro në vit, nga këto rritje të ndjeshme për 880 magjistratët tanë. A është e drejtë kjo, në kushtet ekonomike të vendit dhe me nivelin e sotëm të pagave në sektorin publik dhe privat? Kjo është pyetja që prek më drejtpërdrejt moralin shoqëror.

Një pagë prej 5–9 mijë eurosh në muaj do të ishte një nivel shumë i lartë shpërblimi, në kushtet e ekonomisë sonë. Paga të tilla nuk marrin as magjistratët e vendeve anëtare të BE-së, si të Rumanisë, Bullgarisë, Lituanisë, Letonisë, Estonisë, etj. A jemi ne në nivelin ekonomik të këtyre vendeve të Bashkimit Evropian? Kurrsesi jo!

Por etikën e saj nuk mund ta përcaktojmë vetëm duke krahasuar pagën e magjistratit me pagën e një punonjësi të zakonshëm.

Duhet të shohim tri dimensione. Ka arsye të forta për të garantuar paga të mira për magjistratët dhe kjo ka ndodhur, me trefishimin e pagave, që nga maji i vitit 2023, kur paga mesatare e një magjistrati u bë 3,435 euro në muaj. Dhe u bë shumë mirë që u trefishuan pagat e magjistratëve tanë, pse pavarësia gjyqësore kërkon edhe pavarësi ekonomike. Dhe kjo që nga maji 2023 u arrit.

Mirëpo pagat në shtet nuk mund të jenë pa kufij moralë, sado e rëndësishme të jetë një detyrë shtetërore. Nëse një magjistrat paguhet disa mijëra euro në muaj, qytetari ka të drejtë të kërkojë vendime në kohë, drejtësi të barabartë, sjellje etike, transparencë, përgjegjshmëri dhe zero tolerancë ndaj korrupsionit.

Një pagë e lartë nuk i jep magjistratit vetëm një standard më të mirë jetese. Ajo i jep atij edhe një përgjegjësi më të madhe morale ndaj shoqërisë. Prandaj nuk është e drejtë që sistemi të kërkojë sakrifica financiare nga qytetarët për të paguar akoma dhe më shumë drejtësinë, ndërkohë që qytetarët nuk shohin përmirësime të mjaftueshme në funksionimin e saj.

Rritja e mëtejshme e pagave të magjistratëve nuk është një shpenzim i izoluar. Ajo mund të ndikojë në pagat e administratës së drejtësisë, në skemën e pensioneve suplementare dhe në detyrime të tjera të lidhura me statusin e magjistratit.

Nëse formula e re sjell paga në nivelin 5–9 mijë euro në muaj, kostoja duhet të llogaritet për të gjithë sistemin dhe për disa vite.

Rreziku i efekti zinxhir mbi administratën publike dhe gropës në Buxhet

Një rritje tjetër e madhe për magjistratët do të krijojë kërkesa të ngjashme nga mjekët. Pedagogët, inxhinierët e administratës, punonjësit e Policisë, nëpunësit e administratës publike dhe profesionet të tjera publike me përgjegjësi të lartë.

Kjo nuk do të thotë se kërkesat e tyre nuk duhet të merren parasysh në të ardhmen dhe të refuzohen. Por Kuvendi duhet të ketë një politikë të qartë dhe të qëndrueshme pagash. Nëse grupe të ndryshme të rëndësishëm të administratës publike marrin rrjesht shtime të ndjeshme të pagës, gropa dhe honi i pamundësisë financiare të Buxhetit të Shtetit është i gjithi aty. 

Prandaj dhe qëndrimi i shumicës parlamentare duhet të jetë i prerë, lidhur me një rritje kaq të pa-arsyetuar me kushtet tona ekonomike, me rezultatet në performancë të trefishimit të deritanishëm të pagave të magjistratëve dhe me moralin e raportit me pagat e tjera në shtet. Shumica në Kuvend nuk ka pse të bëhet peng i një vendimi-artificë të Gjykatës Kushtetuese, krejtësisht kundër frymës së Kushtetutës për proporcionalitetin e piramidës shtetërore të pagave. Gjykata Kushtetuese nuk është Kushtetuta! E para thjesht interpreton ligjet e shtetit tonë, mbështetur në frymën e Kushtetutës.

Krahasimi me qytetarin: një problem moral

Shqipëria është një vend ku shumë familje përballen ende me vështirësi ekonomike. Pensionet janë të ulëta në raport me nevojat. Shumë punonjës marrin paga që nuk përballojnë lehtësisht kostot e jetesës. Mësuesit, infermierët, punonjësit e administratës dhe profesionistë të tjerë kërkojnë vazhdimisht përmirësime të të ardhurave.

Në këtë realitet, një kërkesë për paga 6–9 mijë euro në muaj do të perceptohet nga qytetari i thjeshtë si tërësisht e shkëputur nga realiteti ekonomik.

Rreziku i krijimit të një elite të privilegjuar

Në çdo shtet demokratik ekziston rreziku që institucionet e fuqishme të krijojnë një distancë të madhe nga shoqëria. Kur një grup profesionistësh ka paga shumë më të larta se pjesa tjetër e administratës, përfitime të veçanta dhe mekanizma të fortë mbrojtjeje institucionale, do të krijohet perceptimi i një elite të privilegjuar. Dhe ky perceptim bëhet veçanërisht problematik, kur drejtësia nuk funksionon me shpejtësi, qytetarët presin me vite për vendime, dosjet vijojnë  të grumbullohen dhe vendimet nuk janë gjithmonë të kuptueshme.

Në këto kushte, rritja e pagave të magjistratëve, pa reforma të dukshme në shërbimin e tyre ndaj qytetarit, mund të thellojë mosbesimin tek sistemi i Drejtësisë.