LezhëPrej vitit 2017, Prokuroria e Lezhës dhe më pas SPAK kanë zbuluar disa raste të tjetërsimit të pronave në zonën bregdetare të Lezhës, ku mijëra metra katrorë tokë janë përvetësuar në mënyrë të paligjshme përmes falsifikimit të dokumenteve dhe abuzimeve me ligjin 7501.

Rasti i parë - 2017

Historia nisi në vitin 2017, kur dy qytetarë depozituan kallëzim në Prokurorinë e Lezhës duke denoncuar se pronat e tyre të trashëguara në zonën e “Ranës së Hedhun”, në Shëngjin, po tjetëroheshin. Hetimet zbuluan se rreth 25 mijë metra katrorë tokë bregdetare ishin shpërndarë në mënyrë të paligjshme, përmes dokumenteve të falsifikuara që paraqisnin zonën si “tokë ranishte”, e më pas ishin ndarë sipas ligjit 7501.

Për këtë rast, u arrestua ish-kryetari i Bashkisë Lezhë, Fran Frrokaj, së bashku me 22 persona të tjerë, të cilët u gjykuan dhe u dënuan për abuzim me detyrën dhe falsifikim dokumentesh.

Rasti i dytë - 2019

Vetëm dy vite më vonë, në vitin 2019, hetimet e SPAK zbuluan një tjetër skemë të ngjashme, ku ishin përfituar në mënyrë të paligjshme 66 mijë metra katrorë tokë bregdetare me një vlerë të vlerësuar mbi 13 milionë euro. Edhe në këtë çështje u përfshi sërish ish-kryebashkiaku Fran Frrokaj, i cili u dënua për shpërdorim detyre, së bashku me disa zyrtarë të tjerë vendorë.

Rasti i tretë - 2021

Në vitin 2021, si pjesë e dosjes 339/B, u zbulua një tjetër aferë e madhe pronash në bregdetin e Lezhës, që përfshinte rreth 300 mijë metra katrorë tokë. Hetimet çuan në ndëshkime për disa persona, mes tyre edhe familjarë të ish-deputetit të PS, Arben Ndoka.

Skema e fundit - në vijim

Aktualisht, ish-kryebashkiaku Fran Frrokaj është sërish nën hetim nga Prokuroria e Lezhës, këtë herë për tjetërsim pronash në zonën e Kune–Vainit. Çështja ndodhet në fazë gjykimi në Gjykatën e Lezhës.

Ndërkohë, hetimet më të fundit të prokurorisë, të bëra publike vetëm pak ditë më parë me caktimin e 9 masave sigurie, kanë zbuluar një tjetër skemë: në disa prej pronave të tjetërsuara janë kryer ndërtime pa leje, të cilat më pas janë legalizuar, duke u kthyer në prona me vlerë të lartë tregu. Hetimet për këtë rast vijojnë ende.