Një biznesmen italian, Giovanni Battista Telesca dhe një prej kompanive më të mëdha të prodhimit të betonit në Tiranë ‘Euro-Beton 2005’ kanë përfunduar në gjyq për vepra të rënda penale si mashtrim, evazion fiskal dhe pastrim parash.

Telesca, 72-vjeçar, në vitin 2023 ishte emëruar administrator në kompaninë ‘Euro-Beton 2005’, e themeluar nga i biri i tij Pietro Telesca, pronar i 51% të aksioneve. Që prej momentit kur është emëruar dhe deri në fillim të vitit 2026 ai akuzohet nga një tjetër biznesmen Altin Mamica i kompanisë ‘Met Hasani’ shpk, se nuk i ka paguar detyrimet për furnizimin me inerte dhe lëndë të tjera të parë, duke e mashtruar në vazhdimësi, ndërkohë që në fund nuk i njihte fare këto shërbime.

“Nga hetimet dyshohet se ky shtetas përmes ‘Euro Beton 2005’ sh.p.k., ka përfituar lëndë të parë nga subjekte të ndryshme ekonomike, duke premtuar pagesa ose apartamente, e më pas duke mohuar furnizimet dhe detyrimet”, thotë Prokuroria e Tiranës.

Mamica, i cili ka dorëzuar kallëzimin në mars 2026, pretendon për një dëm rreth 89.8 milionë lekë dhe në kallëzimin që ka bërë në Prokurorinë e Tiranës ai ka deklaruar se italiani Telesca fillimisht e pranoi detyrimin ndaj tij, por më pas refuzoi të paguante faturat. 

Pas hetimeve disa mujore prokurori i Tiranës, Bledar Valikaj, jo vetëm që e ka çuar në gjyq me akuzën e një skeme mashtrimi 72-vjeçarin, i cili vijon në masën detyrim paraqitje, por ka gjetur edhe evazion fiskal dhe pastrim parash nga kompania. Vetë ‘Euro-beton 2005’ është sekuestruar në maj me vendim gjykatë si dhe janë bllokuar llogaritë bankare.

Organi i akuzës thotë se lëndët e para janë përdorur për prodhimin dhe shitjen e betonit dhe se dyshohet se furnizimet e pafiskalizuara dhe shitja e betonit kanë shërbyer për fshehjen e të ardhurave dhe ligjërimin e përfitimeve të paligjshme.

“Lëndët e para janë përdorur për prodhimin dhe shitjen e betonit. Dyshohet se furnizimet e pafiskalizuara dhe shitja e betonit kanë shërbyer për fshehjen e të ardhurave dhe ligjërimin e përfitimeve të paligjshme”, thotë Prokuroria.

Telesca dyshohet se një pjesë të parave të përfituara i nxirrte nga Shqipëria pa i deklaruar në kufi dhe i investonte në pasuri të luajtshme e të paluajtshme në Itali.

Me përfundimin e hetimeve prokuroria ka marrë nga gjykata edhe vendimin për sekuestrimin e pasurive të “EURO BETON 2005”, të cilat kapin vlerën e rreth 10 milionë eurove. Mes pasurive janë 4 sipërfaqe toke me mbi 2500 m2, një pallat dhe 3 njësi biznesi. Gjithashtu u sekuestruan edhe 25 automjete të kompanisë si betoniere, pombë betoni, transport e pompa betoni.

Përveç italianit 47 vjeçar Pietro Telesca, aksionet e mbetura të “Euro Beton 2005” janë në pronësi të Arjan Ormenajt me 31.5% dhe Bujar Gazhelit me 17.5%.

Sekuestrohen 8 pasuri të paluajtshme
Tokë arë, me sipërfaqe 560 m²;
Pallat, me sipërfaqe 2780 m², si dhe 914 m² ndërtim;
Tokë arë me sipërfaqe 1580 m²;
Tokë arë me sipërfaqe 310 m²;
Njësi, me sipërfaqe 71.5 m²;
Tokë arë me sipërfaqe 63 m², në bashkëpronësi të shoqërisë “EURO BETON 2005” sh.p.k.
Njësi, me sipërfaqe 61.6 m², vol. 30, fq. 52, ZK 8160;
Njësi, me sipërfaqe 138.84 m², vol. 19, fq. 235, ZK 8180.

1793963941_giovanni.png

Biznesmeni italian Giovanni Telesca

Njoftimi i plotë i Prokurorisë

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin italian Giovanni Telesca, dhe ‘Euro Beton 2005’ sh.p.k., të  akuzuar për veprat penale të ‘Mashtrimit’, ‘Fshehja e të ardhurave’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale’ të parashikuar nga nenet 143/3, 180/3 dhe 287 të Kodit Penal dhe sekuestron 10 milionë euro pasuri.

Pas një hetimi disa mujor të ndjekur me metoda speciale, në kuadër të procedimit penal nr.1718, viti 2026. u morën të pandehur dhe u përfunduan hetimet për shtetasin Italian Giovanni Battista Telesca dhe personi juridik “Euro Beton 2005”.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas përmes “Euro Beton 2005” sh.p.k., ka përfituar lëndë të parë nga subjekte të ndryshme ekonomike, duke premtuar pagesa ose apartamente, e më pas duke mohuar furnizimet dhe detyrimet. Lëndët e para janë përdorur për prodhimin dhe shitjen e betonit. Dyshohet se furnizimet e pafiskalizuara dhe shitja e betonit kanë shërbyer për fshehjen e të ardhurave dhe ligjërimin e përfitimeve të paligjshme.

Hetimet disa mujore vërtetuan skemën e mashtrimit dhe u vendos sekuestro preventive, ndaj pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të subjektit “EURO BETON 2005”, të cilat kapin vlerën rreth 10.000.000 Euro.

Gjithashtu u sekuestruan pasuri të luajtshme në pronësi të subjektit nën hetim, ne total 25 automjete të tipit betonierë, pombë betoni, transport e pompa betoni.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

 

 

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë...