Policia e Maqedonisë së Veriut ka sekuestruar rreth 30 ton kanabis, në atë që autoritetet e cilësojnë si sekuestrimin më të madh të këtij lloji në historinë e vendit, njoftoi të premten televizioni shtetëror MRT.
Aksioni policor u zhvillua në fabrikën për prodhimin e kanabisit mjekësor “Alfafarm”, ish-kompleksin industrial “Ohis” në Shkup dhe në një ambient tjetër industrial në qytetin jugor të Strumicës. Operacioni, i cili nisi të enjten, kishte në shënjestër kanabis të kultivuar për qëllime mjekësore, por që sipas autoriteteve nuk ishte i destinuar për përdorimin e autorizuar ligjërisht.
Sipas MRT-së, ky aksion lidhet edhe me një operacion të fundit në Serbi, ku policia sekuestroi pesë tonë kanabis. Prokurorët serbë deklaruan se droga e gjetur në një fermë në Serbinë qendrore kishte origjinë nga Maqedonia e Veriut. Prodhimi i kanabisit mbetet i paligjshëm në Serbi por Maqedonia e Veriut e ka legalizuar kultivimin e tij për përdorim mjekësor që nga viti 2016. Megjithatë autoritetet kanë paralajmëruar vazhdimisht për abuzime me licencat në këtë sektor.
Ndërkohë, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në një intervistë televizive ka deklaruar opinioni do të shokohet, kur do të mësoj për sasinë e sekuestruar.
Komente








