Përpara uzinës së ferrokromit, në fshatin Balldren, buzë aksit Elbasan-Peqin, ndodhen thasë të mëdhenj të mbushur me pluhur industrial, të cilët mbahen jashtë kushteve teknike. Bëhet fjalë për një sasi prej 300 tonësh, të klasifikuara nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit si mbetje shumë të rrezikshme.

Bazuar në një raport të kësaj agjencie, Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet ndaj kompanisë koncesionare “Albchrome”. Si masë paraprake, organi i akuzës ka vendosur të sekuestrojë sasinë prej 300 tonësh. Ka dyshime se kompania nuk ka siguruar kushtet e nevojshme për administrimin e mbetjeve, duke shkaktuar ndotje të mjedisit. Ndërkohë, ekspertët kanë marrë mostra për kryerjen e analizave të mbetjeve jashtë vendit.

“Çmojmë se është i nevojshëm sekuestrimi i provës materiale të sasisë prej rreth 300 tonë të mbetjeve të dyshuara si mbetje të rrezikshme, pasi vlerësohen si të domosdoshme për vërtetimin e fakteve objekt i hetimit penal”, thuhet në vendimin e Prokurorisë.

 

Siç shihet në dokument, Prokuroria i ka kërkuar kompanisë të garantojë ruajtjen e 300 tonëve pluhur industrial deri në përfundim të hetimeve.

“Moszbatimi i detyrimit të ruajtjes, ngarkon personin përgjegjës me përgjegjësi penale”, thuhet në vendimin e Prokurorisë.

Çështja e ndotjes doli në pah në maj të këtij viti, kur Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit pezulloi aktivitetin e “Albchrome”, pasi konstatoi se mbetjet depozitoheshin jashtë kushteve të sigurisë. Gjithashtu, kompania nuk dispononte kontrata për transferimin, largimin, asgjësimin apo përpunimin e mbetjeve.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka hartuar një raport, në të cilin i klasifikon mbetjet e “Albchrome” si shumë të rrezikshme. Në raport thuhet se ato përmbajnë përqendrime të larta të metaleve të rënda dhe janë paketuar në thasë të thjeshtë, të lënë jashtë, pa mbrojtje nga faktorët atmosferikë. Gjithashtu, kompania koncesionare nuk ka menaxhuar as skorjet e ferrokromit.