Një operacion i madh ndërkombëtar kundër trafikut të kokainës ka çuar në goditjen e një rrjeti kriminal që lidhte kartelin ekuadorian “Los Lobos” me një organizatë shqiptare të trafikut të drogës në Europë. Ky rrjet narkotrafiku i përkiste Hernán Ruilova Barzolas që përdorte një kompani eksporti bananesh për të dërguar kokainë drejt Europës.
Operacioni u krye nga Europoli në bashkëpunim me autoritetet e Ekuadorit dhe Shteteve të Bashkuara.
Hetimet nisën në tetor të vitit 2024 dhe një operacioni në zonën Barbones, në El Oro, ku u sekuestrua gjysmë toni lëndë narkotike dhe u arrestuan tre persona.
Më pas në janar 2025 dhe autoritetet e Ekuadorit me mbështetjen e policisë së Belgjikës dhe Holandës, si edhe Agjencisë Amerikane kundër Drogës (DEA) përshkallëzuan hetimin ku morën pjesë më shumë se 100 policë dhe rreth 40 përfaqësues të autoriteteve gjyqësore.
Sipas hetimit, rrjeti kriminal operonte nga qytetet Guayaquil dhe Machala në Ekuador dhe merrej me trafikun e sasive të mëdha të kokainës drejt Europës. Për të fshehur aktivitetin e paligjshëm, organizata përdorte kompani eksporti frutash si mbulim.
Sipas të dhënave të Europol, në operacionet e fundit në Ekuador u arrestuan 16 persona (12 burra dhe 4 gra), u kryen 26 kontrolle dhe u sekuestruan e 7.64 tonëve drogë, me një vlerë prej 346 milionë dollarësh në tregun evropian.Mes të arrestuarve është edhe Jorge Salomón Fadul Franco, ish-deputet dhe ish-këshilltar bashkiak në Machala.9 persona të tjerë u arrestuan në tre vende të Europës.
Operacionet në Spanjë, Hollandë e Belgjikë
Hetimet zbuluan lidhje të drejtpërdrejta me shtetas shqiptarë që konsideroheshin objektiva prioritare në disa procese në Spanjë. Gjatë operacionit të koduar ‘Viktoria’ u sekuestruan 2.5 ton drogë dhe u arrestuan pesë persona, shtetas holandezë dhe rumunë. Më pas, në operacionin “Victoria II”, autoritetet holandeze në Roterdam sekuestruan edhe 1.2 ton të tjera por nuk pati arrestime. Në një tjetër operacion në Belgjikë u arrestuan tre shtetas shqiptarë dhe u konfiskuan 3.2 ton drogë. Në total, operacionet në territorin evropian arritën në 7.64 tonë drogë të sekuestruar. .
Ministri i Brendshëm i Ekuadorit, John Reimberg tha se goditja ekonomike ndaj organizatës kriminale tejkalon 346 milionë dollarë.
Operacionet në Ekuador
Gjatë kontrolleve në banesa të lidhura me rrjetin kriminal në Ekuador, policia konfiskoi 572 kilogramë kokainë, 14 automjete luksoze, 20 telefona celularë, armë zjarri, bizhuteri dhe mbi 800 mijë dollarë cash
Mes të arrestuarve ishte edhe Hernan Ruilova, që u kap në Machala, i cili sipas autoriteteve ishte pjesë e strukturës që kontaminonte me drogë ngarkesat me fruta drejt Evropës.
Mes të arrestuarve është edhe ish-deputeti Salomón Padua, i cili dyshohet për përfshirje në krim të organizuar dhe trafik droge.
Ministri konfirmoi se në qendrën operative të ngritur në vend morën pjesë agjentë të Europol-it, Policisë së Antverpenit, njësisë kombëtare të hetimeve të Holandës dhe DEA-s.
Sipas tij, operacione të tjera të mëdha do të kryhen në 4 provinca nga data 15 deri më 30 mars, në kuadër të gjendjes së jashtëzakonshme dhe shtetrrethimit të shpallur nga presidenti.
Sipas tij, bashkëpunimi me SHBA përfshin shkëmbim informacioni, sekuestrim armësh dhe veprime kundër dërgesave të paligjshme.
Reimberg shtoi gjithashtu se vrasjet e dhunshme kanë shënuar një ulje prej rreth 10% gjatë muajit shkurt, si pjesë e strategjisë kundër strukturave kriminale./ Europol
Komente










