Një situatë kaotike  ka ndodhur në burgun e Dogaia në Prato të Italisë, ku rreth 60 të burgosur, shumica shqiptarë kanë shkaktuar trazira pasi disa qese me drogë u hodhën nga jashtë brenda territorit të burgut.

Ngjarja ndodhi më 28 shkurt rreth orës 13:15, ndërsa të burgosurit po luanin futboll në fushën sportive të seksionit të gjashtë. Sipas hetimeve të prokurorisë së Pratos, dy të rinj jashtë burgut, një 20-vjeçar tunizian dhe një 19-vjeçar italian, hodhën tre qese të vogla droge mbi murin rrethues me qëllim që ato të përfundonin në duart e të burgosurve.

Kur policia e burgjeve ndërhyri për të marrë pakot, situata doli menjëherë jashtë kontrollit. Rreth 60 të burgosur, shumica me origjinë shqiptare, u grumbulluan dhe reaguan në mënyrë agresive duke penguar kontrollin dhe duke krijuar një revoltë të menjëhershme.

Sipas prokurorisë, episodi tregon se brenda burgut veprojnë grupe të organizuara të të burgosurve që arrijnë të ndikojnë jetën e përditshme në institucion, edhe për shkak të mungesës së personelit në policinë penitenciare.

Ngjarja e 28 shkurtit është vetëm një nga disa episode të fundit që tregojnë se droga dhe telefonat celularë vazhdojnë të futen në burgun e Dogaia.

Më 13 shkurt hetuesit bllokuan një pako postare të dërguar për një të burgosur, ku mes fetave të sallamit ishin fshehur rreth 10 gramë kokainë dhe 206 gramë hashash.

Pak ditë më vonë, më 20 shkurt, pranë murit rrethues të burgut u gjetën edhe tre pako të tjera me 240 gramë hashash, 24.2 gramë kokainë, një telefon Samsung pa kartë SIM dhe një modem për lidhje interneti, pajisje që sipas hetuesve do të shërbenin për komunikim me jashtë sapo të hynin në qeli./CorrieredellaSera