TIRANE- Fundjavën e shkuar me disa miq vizituam qytetin e vjetër e të bukur të Selanikut. Kaluam orë shumë të këndshme dhe nuk mund të largohesha prej aty, pa takuar miken dhe kolegen time, gazetaren Anila Jole, e cila prej gati 3 vjetësh jeton në këtë qytet të Greqisë.

Ishte e diel paradite dhe mendova se do të kishim kohë të pinim një kafe pranë detit e të bisedonim, por kur i telefonova, më tha se ishte ora që shkonte në shkollë, aty ku çdo të diel, bashkë me kolegët e saj, jepte mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë në Selanik.

M’u duk shumë e bukur ideja, t’i bashkohesha për të parë nga afër punën fisnike të këtyre mësuesve, që u mësojnë fëmijëve shqiptarë gjuhën amtare në vend të huaj.

Anila më shpjegoi se ka vetëm pak muaj që ka filluar të japë këtë kontribut, ndërsa “Cikli mësimor i gjuhës shqipe”, organizuar nga Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë “Nënë Tereza” në Selanik, është hapur dhe funksionon prej 8 vjetësh.

Gazetarja e cila çdo ditë në tv NEWS24 përcjell nëpërmjet telefonit gjithçka ndodh në Greqi, tani në Selanik, ka dhe një tjetër mision, atë të përcjelljes së gjuhës dhe kulturës shqipe.

“Këtë vit mësojnë rreth 130 fëmijë dhe japin mësim 8 mësues”, tregon Anila duke më njohur me mësuesit, Dashamir Zaçe, Valbona Hystuna (kryetare e shoqatës), Aurela Konduri, Iris Hajdinaj, Rovena Spiridhi, Evgjeni Salaria e Redina Cami. Që nga viti 2006, mësimi i gjuhës shqipe zhvillohet falas në mjediset e Fakultetit Pedagogjik të Universitetit “Aristoteli”, pas kërkesës së Shoqatës “Nënë Tereza”.
“Është mbreslënëse fakti që këta mësues prej 8 vitesh lënë çdo javë ditën e tyre të pushimit për t’iu mësuar fëmijëve shqiptarë, gjuhën e bukur të mëmës. E gjitha bëhet vullnetarisht dhe pa asnjë shpërblim”, tregon Anila, tashmë pjesë e këtij komuniteti mësuesish.

SHQIPJA NË SELANIK
Mësuesit nuk iu mësojnë nxënësve vetëm gjuhën shqipe; ata përpiqen që në çdo orë mësimi të japin sa më shumë njohuri nga historia, gjeografia dhe kultura shqiptare dhe nxënësit dëgjojnë gjithë vëmendje.
”Nuk ishte hera e parë që shihja shkollë dhe klasa me fëmijë, por ishte tepër emocionuese të shihja fëmijë shqiptarë të moshave të ndryshme, të mësonin gjuhën e mëmës në një vend të huaj. Vijnë me shumë dëshirë cdo të diel, prindërit i sjellin nga çdo skaj i qytetit të madh dhe i presin derisa përfundon mësimi”, tregon Anila.
Edhe pse në shtëpitë e tyre familjet shqiptare komunikojnë përgjithësisht në gjuhën tonë, prindërit janë të shqetësuar dhe duan që fëmijët të lexojnë drejt, të shkruajnë bukur duke respektuar rregullat drejtshkrimore dhe të tejkalojnë disa probleme fonetike, që lindin nga ndryshimi mes tingujve të gjuhës sonë dhe asaj greke.
Ndoshta disa prej fëmijëve kanë plane për t’u rikthyer në Atdhe dhe duan të jenë gati për të rifilluar shpejt mësimin në shkollat e Shqipërisë, shumica prej tyre e bëjnë këtë vetëm nga dëshira dhe atdhedashuria. Pavarësisht si do ta sjellë jeta, nëse nesër do të jetojnë në Greqi, Shqipëri, apo diku tjetër nëpër botë, këta fëmijë duan të dinë të shkruajnë dhe të lexojnë gjuhën shqipe, e cila është identiteti dhe i kthen gjithmonë tek rrënjët e tyre. Ata në cdo kohë e në cdo vend mund të thonë me krenari në shqip: “Jam shqiptar dhe e njoh shumë mirë gjuhën time!” dhe këtë gjuhë t’ua trashëgojnë më pas fëmijëve të tyre…
Në fund të një ore të bukur që kalova mes bashkatdhetarëve të mi në Selanik, nuk mund të mos shpreh mirënjohjen në emër të cdo shqiptari, për punën e këtyre mësuesve, që me dashuri dhe pasion kontribuojnë në ruajtjen e gjuhës shqipe tek fëmijët e emigrantëve shqiptarë, që këta të fundit të bëhen qytetarë të mirë, të njohin vlerat historike dhe kulturore shqiptare, vlera të cilat mund të përcillen vetëm nëpërmjet mësimit të gjuhës amtare dhe ç’është më e rëndësishmja kontribuojnë që fëmijët tanë në emigracion, të mbeten shqiptarë, kudo ku do rriten e do jetojnë.
Teksa kthehesha në Tiranë, ndërsa radhisja me mend shkrimin tim, konstatova se sa pak dimë për këto nisma të mrekullueshme të bashkatdhetarëve tanë në Selanik, Athinë e Janica dhe natyrshëm më lindi pyetja: Po shteti shqiptar a ka dijeni… çfarë bën ai për t’i ndihmuar këta mësues në kryerjen e misionit të tyre fisnik dhe kaq të rëndësishëm në një vend të huaj?
(sg/shqiptarja.com)