Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti nga Hasi ku inspektoi procesin e vaksinimit në një fermë gjedhësh në Brenogë deklaroi se duke filluar nga dita e nesërme, do të shpërndahen në të gjithë  vendin 165.000 doza vaksina duke arritur në këtë mënyrë në imunizimin e gjithë popullatës së gjedhit në vend.
 
Ministri lajmëroi angazhimin e gjithë trupës së veterinerëve në vend dhe të studentëve masterant të Fakultetit të Veterinarisë për të mbyllur sa më parë vaksinimin në të gjithë vendin. Deri tani në gjithë vendin janë regjistruar në total 425 raste.
 
Gjatë vizitës në Has, ku sëmundja e dermatozës nodulare është përhapur me shpejtësi, ministri Panariti i shoqëruar edhe nga Dekani i Fakultetit të Veterinarisë, veterinerë dhe punonjës të Drejtorisë Bujqësore Kukës kanë parë nga afër kafshët e prekura, ndërsa janë caktuar masa të mëtejshme për parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundje nëpërmjet vaksinimit dhe imunizimin e gjedhëve, menaxhimin e asgjësimit dhe groposjes së kafshëve të prekura.
 
Fermerët i kërkuan ministrit Panariti mbështetje financiare për gjedhët e prekura nga kjo sëmundje, si e vetmja mundësi për të zëvendësuar popullatën e gjedhit e prekur nga dermatoza nodulare. Blegetoria dhe bujqësia janë mënyra e vetme jetese në këto zona.
 
Rrethi i Hasit ka rreth 300 krerë gjedhë të regjistruara dhe deri tani janë të prekura rreth 40 krerë.


d.b/shqiptarja.com