TIRANE- Përjashtimi i ish kryeministrit nga senati italian ka bërë xhiron e botës. Kanë qenë të shumta televizionet dhe gazetat të cilat i kanë kushtuar faqen e parë ish-kryeministrit Italian.
 
Dje në orën 17:43, senati italian votoi pro përjashtimit të Silvio Berluskonit. Vetë Berluskoni para votimit, e cilësoi përjashtimin i tij si ‘vdekje të demokracisë’.

Vetë kryeministri Letta nuk pranoi të jepte një koment lidhur me votimin e senatit, por tha se Italia tashmë duhet të shihte përpara.

Ndërsa senatorët e Lëvizjes Pesë Yjet e festuan me shampanjë përjashtimin e Berluskonit. Kryetari i tyre Beppe Grillo nëpërmjet internetit tha se tashmë rradhën e kishin të tjerët. 
Ndërsa zv. Kryeministri Angelino Alfano u shpreh se tashmë qeveria nuk kishte më alibi për reformën e nevojshme në drejtësi, por pa dhënë mendimin e tij lidhur me votimin kundër Berluskonit.

Berluskoni u dënua për evazion fiskal në tetor të vitit 2012 pas disa marrëveshjeve të Mediasetit për të blerë të drejtat e filmave italianë. Ai do të vuajë një dënim 1 vjeçar me arrest shtëpie në lidhje me këtë çështje.

Redaksia online
(ed/sg/shqiptarja.com)