Marrëdhënie të qëndrueshme mes parlamenteve të Senantit Italian dhe Kuvendit të Shqipërisë lidhur me politikat evropiane, për të shkëmbyer përvojat e rrugëtimit të Shqipërisë dhe Ballaknit Perëndimor drejt Bashkimit Europian, ka qenë qëllimi i vizitës së Senatorit italian, i cili është kryetar i Komisionit për Politika Europiane, Vanino Kiti, në Shqipëri.
 
Në intervistën ekskluzive për Report Tv, përballë gazetarit Artur Nura, Kiti shpjegoi dhe cilësinë e marrëdhënieve Shqipëri-Itali.
 
“Di që ka shoqata, komisionet e miqësisë parlamentare që janë komisione të rëndësishme kanë një rol shkëmbimi dhe janë multisektoariale. Ky është një bashkëpunim thelbësor, por nuk është i mjaftueshëm”, u shpreh ai.
 
Marrëdhëniet Itali- Shqipëri, nga ana e senatorit Kiti, janë cilësuar si shumë të pasura njerëzore dhe kulturore, ku vetë italianët në Shqipëri dhe shqiptarët në Itali janë ura e forcimit të marrëdhënieve.
 
“Marrëdhëniet në këtë drejtim mes dy vendeve janë rritur dhe po rriten në nivelin ekonomik, në nivelin e sipërmarrjeve që janë këtu, në sektorin e energjisë, mund të zhvillohen edhe më tej. Ka edhe sipërmarrje të shqiptarëve në Itali, mbi të gjitha qytetarët shqiptarë janë komuniteti i tretë i huaj në Itali, flasim për rreth 500 mijë qytetarë shqiptarë. Unë jetoj në Pistoia, im bir ka miq që janë shqiptarë, unë e kam parë me sytë e mi që ka të rinj shqiptarë që kanë ardhur atje dhe kanë punuar shumë”, tha ai.
 
Gjatë intervistës, kryetari i komisionit për politika Europiane në Senatin Italian, Vanino Kiti, është shprehur se Italia do të forcojë mbështetjen e saj ndaj Shqipërisë.