Senatorja amerikane, Joni Ernst, po qëndron për vizitë në Kosovë, ku më 11 gusht është takuar me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ozkan Ulutash.

Haxhiu tha se me senatoren republikane nga Ajova ka diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, çështjet e sigurisë dhe rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Haxhiu shkroi në Facebook se Ernst është një mike e dëshmuar e Kosovës dhe një zë i rëndësishëm në mbështetje të partneritetit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ernst po e viziton Kosovën në një kohë të ngërçit institucional, pasi partitë politike dështuan ta konstituojnë Kuvendin pas zgjedhjeve të qershorit, brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa vendi ka një ushtruese të detyrës së presidentes dhe një kryeministër në detyrë.

Deri në publikimin e këtij lajmi, senatorja Ernst nuk kishte bërë deklarata publike për përmbajtjen e takimeve të saj në Kosovë.

Haxhiu njoftoi se e ka dekoruar Ernstin me Medaljen Presidenciale të Meritave për, siç tha, kontributin e saj në fuqizimin e partneritetit Kosovë–SHBA dhe në mbështetjen e zhvillimit të kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.

Ernst është anëtare e Komitetit për Shërbimet e Armatosura të Senatit amerikan.

Gjatë së martës, ajo vizitoi edhe selinë e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, në Camp Film City në Prishtinë, ku u prit nga komandanti i misionit, Ulutash.

KFOR-i njoftoi për takimin, por nuk dha hollësi për temat e diskutuara.

Ambasada amerikane në Prishtinë kishte njoftuar një ditë më herët për mbërritjen e Ernstit në Kosovë. Sipas Ambasadës, ajo mori pjesë në takime në selinë diplomatike amerikane dhe vizitoi Manastirin e Graçanicës, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Gjatë vizitës në Graçanicë, Ernst u takua edhe me mitropolitin e Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije, sipas njoftimit të Dioqezës Rashkës dhe Prizrenit të Kishës Ortodokse Serbe.

Dioqeza tha se Teodosije i ka shprehur senatores shqetësime lidhur me pozitën e komunitetit serb dhe të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, si dhe me zhvillimet e fundit të sigurisë.

Sipas saj, në takim u diskutua edhe për fillimin e integrimit gradual të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it në Manastirin e Deçanit, si dhe për situatën në urën mbi Ibër në Mitrovicë.

KFOR-i njoftoi më 10 gusht se ka nisur “tranzicionin gradual” të pranisë së tij të përhershme nga ura kryesore mbi Ibër në Mitrovicë, si dhe “integrimin gradual” të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it në Manastirin e Deçanit.

Teodosije ka kërkuar që KFOR-i të vazhdojë të ketë rol të rëndësishëm në garantimin e sigurisë në këto zona, duke argumentuar se niveli i besimit ndërmjet komuniteteve dhe institucioneve mbetet i ulët.

Ernst e kishte vizituar Kosovën edhe në vitin 2021. Në një intervistë të atëhershme për Radion Evropa e Lirë, ajo kishte shprehur mbështetje për zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës drejt një ushtrie, për aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe për një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ajo kishte paralajmëruar gjithashtu për rritjen e ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor./ REL