ELBASAN- Ka përfunduar paraburgimi i Elbasanit i nisur vetëm një vit më parë. Sot paradite për ta përuruar ishin të pranishëm Ambasadori i BE-së në Shqipëri Etore Sequi dhe Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi.

Ky paraburgim ka kapur shifrat e 5 milion eurove dhe është një investim i taksapaguesve evropian me një kapacitet prej 120 të burgosurish. Në ceremoninë përuruese Sequi tha se ky investim do pasohet me të tjera.
Por, në fjalët e tij në këtë ceremoni përuruese Sequi u shpreh në lidhje me statusin dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Përfundoni reformat e duhura, para publikimit te progres-raportit te Komisionit Evropian”. Me këtë mesazh u është drejtuar forcave politike ne vend. Përgjegjësia do te jete vetëm politike, është shprehur diplomati, nëse politikanët nuk kanë angazhimin e duhur.

"Dëshiroj të inkurajoj palët politike që të ndërtojnë më tepër punën me frymë konsensusi. Ne mund të kthejmë kokën pas e t’i bëjmë vetes disa pyetje: Mund të themi që ose kishim një vizion po nuk patëm angazhimin e duhur, ose mund të themi, si mundën ata që të kishin kurajën politike që të kriheshin mbi politikën e asaj kohe dhe të bënin atë që shumë menduan se ishte e pamundur. Unë kam besim që ne do t’i bëjmë vetes pyetjen e dytë.’, u shpreh Sequi

Një komb sipas tij nuk duhet gjykuar nga burgjet, por ky është një tregues i mirë për trajtimin e njerëzve me kushte evropiane.

(Shqiptarja.com)