TIRANE - Edhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati mori në dorëzim nga Ambasadori Ettore Sequi Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Shqipërinë.
 
Burimet zyrtare nga Ministria e Jashtme vunë në dukje se Bushati, duke vlerësuar rolin mbështetës të Komisionit Evropian në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe vendeve të rajonit të BP-së, mirëpriti raportin e progresit të përgatitur nga Komisioni dhe rekomandimin për marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria.  

Ministri Bushati e cilësoi Raportin e Progresit si një pasqyrim objektiv (të qartë dhe të saktë të statusit të përmbushjes së reformave lidhur me plotësimin 12 prioriteteve kyçe të Opinionit, si dhe të fushave ku nevojitet progres i mëtejshëm tek të cilat duhet të fokusohen reformat. Ky rekomandim, shtoi ai, përbën një njohje të përpjekjeve dhe arritjeve të të gjithë shoqërisë shqiptare në rrugën e integrimit evropian, dhe ne mbetemi me besimin e plotë që ky  progres do të vlerësohet dhe nga Këshilli i dhjetorit. 

Ministri Bushati theksoi se, “ Procesi i zgjerimit po njeh hapa domethënës përpara me anëtarësimin e Kroacisë, rekomandimet për marrjen e statusit nga Shqipëria dhe fillimin e bisedimeve për MSA-në me Kosovën”. 

Gjatë takimit, Ambasadori Sequi vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria në përmbushjen e 12 prioriteteve kyçe dhe ofroi asistencën e Komisionit Evropian në procesin e përmbushjes së masave të mëtejshme të evidentuara nga Komisioni, për të avancuar drejt hapit tjetër të çeljes së bisedimeve të anëtarësimit.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)