Data 3 nëntor, tashmë është caktuar për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, edhe kjo në harmoni me konsensusin e arritur në dialogun me Beogradin.
Por, për përfaqësuesit e serbëve në veri, pjesëmarrja në zgjedhjet e Kosovës do të ishte një rrugë pa krye dhe e papranueshme.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Aleksander Vulin ka vizituar të premten komunat e Istogut dhe Zveçanit.
Sipas tij, qeveria serbe po bën gjithçka që të përmbushë obligimet e marra me marrëveshjen e arritur në Bruksel me Prishtinën, përfshi edhe çështjen e zgjedhjeve lokale dhe konstituimin e organeve për komunat veriore.
“Qeveria e Serbisë do të zbatojë të gjitha çështjet për të cilat është arritur marrëveshje. Kurse OSBE-ja është ajo që do t’i ndërmerr edhe disa vendime të domosdoshme në këtë proces“, ka thënë Vulin.
Sipas marrëveshjes, zgjedhjet në veri, i organizon OSBE-ja, por nën ombrellën e ligjeve të Kosovës.
Pjesëmarrja e serbëve verior në zgjedhjet e ardhshme lokale, nga kryeministri i Serbisë Ivica Daçiç ishte konsideruar si vendimtar para se Bashkimi Europian të vendos për t’i dhënë përfundimisht Serbisë datën për nisjen e negociatave për anëtarësim.
Por, kërkesa e Beogradit për pjesëmarrjen e serbëve verior në zgjedhjet e Kosovës, duket të jetë e papranueshme për liderët e komunave në veri.
Njëri nga liderët e serbëve të asaj pjese, Milan Ivanoviç thotë se qëndrimi i serbëve të komunave veriore për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës është shprehur edhe me formimin e kuvendit paralele në Zveçan.
Sipas tij, mënyra e vetme që garanton ekzistencën e serbëve është mos integrimi i tyre në institucionet e shtetit të Kosovës.
Në anën tjetër, nënkryetari i Partisë Liberale Serbe, Petar Miletiç, i cili është edhe nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, nuk beson që serbët e veriut kanë qëndrime unike lidhur me pjesëmarrjen apo bojkotimin e zgjedhjeve.
Ai i ka ftuar serbët verior të marrin shembull Graçanicën para dhe pas pjesëmarrjes në zgjedhje.
Sipas tij, që nga pjesëmarrja në zgjedhjet lokale, kjo qytezë e banuar me shumicë serbe ka shënuar përparime të shumta në të gjitha fushat.
Ndërkohë, një përfaqësues tjetër politik i serbëve në veri, Oliver Ivanoviq, mendon se nëse bojkotimi i zgjedhjeve do të jetë masiv, atëherë Prishtina dhe Bashkimi Evropian mund të bëjnë emërimin e organeve komunale në atë pjesë.
Sidoqoftë, mbetet të shihet nëse vizitat e shpeshtuara të zyrtarëve nga qeveria e Serbisë në Kosovë do të ndryshojnë pozicionin e liderëve të veriut në raport me Marrëveshjen e arritur në Bruksel, e cila parasheh integrimin e këtij komuniteti, por duke e ruajtur një autonomi të gjerë që garantohet me asociacionin e komunave serbe, organ ky që mund të formohet pas zgjedhjeve lokale nga kryetarët e zgjedhur nëpër komunat me shumicë serbe.
Marrë nga "Radio Evropa e Lirë"
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)