Ambasadori i Shqipërisë, Mehmet Elezi dhe ai i Kosovës Naim Malaj në Zvicër kanë reaguar pas djegies se flamurit shqiptar në miqësoren Spanjë – Serbi, të luajtur në stadiumin e Saint Gallenit, dhe pas thirrjeve raciste të një grupi tifozësh serbë që thonin vazhdimisht “vdekje shqiptarëve”. Në komunikatën e përbashkët për shtyp, dy ambasadorët kanë theksuar se këto ngjarje kanë tronditur shqiptarët në Republikën e Kosovës dhe atë të Maqedonisë.

“Këto akte dhune dhe racizmi që nxisin urrejtjen dhe tensionet etnike bien në kundërshti me vlerat demokratike”, thuhet mes tjerash në komunikatën e përbashkët të dy ambasadave shqiptare, duke theksuar se “futbolli është një sport i bukur që duhet të frymëzojë ndjenjat e solidaritetit dhe miqësisë”. Në fund, dy ambasadorët, Elezi dhe Malaj i kanë kërkuar autoriteteve zvicerane dhe FIFA-s të marrin masat e duhura për të ndëshkuar aktorët e këtyre akteve të turpshme.

Në ndeshjen miqësore Spanjë- Serbi, një grup tifozësh serbë kanë djegur flamurin shqiptar si dhe kanë lëshuar thirrje raciste. Pamjet filmime të ndeshjes janë hedhur në youtube më 27 maj 2012. Ndeshja e zhvilluar më 26 maj u luajt në stadiumin Shën Gallen, AFG Arena. Ndeshja u ndoq nga rreth 17 000 shikues.
(ns/sg/shqiptarja.com)