Edhe pse situata në Veri është më e tensionuar se rrallë herë serbët edhe këtë vit erdhën me qindra në Manastirin e Graçanicës për të kremtuar Vidovdanin. Djali i Vuçiç ishte i pranishmi ‘Vip’ në festë, teksa mesazhin e kishte të zgjedhur në bluzën e tij me mbishkrimin ‘Dorëzimi nuk është opsion’.

Mesazhin e të birit e përforcoi edhe vetë Presidenti në një reagim të mëpashshëm.

“Më lejoni t’u them se kështu mendon secili prej nesh të familjes Vuçiç, se kështu mendon shumica e Serbisë. Dhe dorëzimi nuk është opsion për ne”, tha Vuçiç.

Kremtimet kanë kaluar pa incidente, edhe pse disa serbë zgjodhën ta festonin kështu, duke vendosur ngjitëse në automjete të KFOR-it dhe të Policisë me mbishkrimin “për liri deri në frymën e fundit”.  Policia e Kosovës, KFOR dhe EULEX monitoruan gjithë situatën në Graçanicë.

Në ceremoni foli Patriarku i Kishës Ortodokse serbe Porfirje, i cili e quajti Kosovë shtëpinë e serbëve.

"Këtu në Kosovë dhe Metohi, ne jemi në shtëpinë tonë, e kuptojmë se nga vijmë. Dhe këtë të vërtetë ua kujtoj të gjithë vëllezërve dhe motrave tona nëpër botë. Kur jemi diku tjetër, atëherë jemi të huaj", tha Patriarku Porfirje, kreu i  Kishës Ortodokse serbe.

Në kremtimet për Vidovdan serbët nuk i harruan simbolet nacionaliste, me flamuj të Kosova është serbi apo edhe me mbishkrim “nuk e japim”.

Pas meshës me rite ortodokse serbët marshuan në rrugët e Graçanicës, duke kënduar këngë nacionaliste.

Ndërkohë që edhe pse ditë festë, serbët nuk i braktisën edhe sot protestat. Përveçse për Vidovdan ata janë mbledhur para ndërtesave komunale në Leposaviç dhe Zveçan,, duke kërkuar tërheqjen e forcave speciale të Kosovës, largimin e kryetarëve dhe lirimin e serbëve të arrestuar.

Në festën e Didovdanit serbët përkujtojnë betejën e Fushë Kosovës së vitit 1389, kur forcat ballkanike e udhëhequra nga Car Llazari u përballën me osmanët. Edhe pse ballkanasit e humbën këtë betejë, serbët e kanë regjistruar si një nga ngjarjet që ka shënjuar kombformimin e tyre.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:51
Djali i Vuçiçit shfaqet në Kosovë për 'Vidovdanin' me bluzën me mbishkrimin ‘dorëzimi nuk është opsion' (FOTO)

 

Mediat e Kosovës kanë publikuar një foto nga Graçanica ku serbët po mbajnë manifestimet për festën e ‘Vidovdanit’. Në foton e publikuar sipas tyre shfaqet edhe Danilo Vuçiç, djali i presidentit  Aleksandër Vuçiç.

Ai shihet duke u përshëndetur me serbë të tjerë ndërsa në bluzën që mban veshur shkruhet në serbisht “Dorëzimi nuk është opsion”.

Foto ku Danilo Vuçiç shfaqet duke takuar serbët në Kosovë