Studentët bllokojnë Beogradin, Vuçiç kërkon dialog dhe paralajmëron ndryshimim e gjysmës së kabinetit qeveritar (VIDEO)

SERBI - Studentët e universiteteve të Serbisë nisën të hënën një bllokadë 24-orëshe të një kryqëzimi thelbësor të trafikut në Beograd, duke shtuar trysninë ndaj autoriteteve rreth një shembjeje vdekjeprurëse të një çatie në një stacion treni në muajin nëntor, që la pas vetes 15 të vdekur.

Fermerë serbë me traktorë dhe mijëra qytetarë iu bashkuan bllokadës që pasoi protestat shumëjavëshe në të cilat kërkohet përgjegjësi për aksidentin vdekjeprurës në qytetin verior të Novi Sadit, për të cilin kritikët fajësojnë korrupsionin e shfrenuar të qeverisë.

Fushata e demonstratave në rrugë paraqet sfidën më të madhe në vite për kontrollin e fortë të qeverisë populiste mbi pushtetin në Serbi.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin Milosh Vuçeviç dhe kryetaren e parlamentit Ana Bërnabiç, të hënën në mbrëmje kërkoi dialog me studentët, duke thënë se "ne duhet të ulim tensionet dhe të fillojmë të flasim me njëri-tjetrin".

Nuk pati ndonjë reagim të menjëhershëm nga studentët që në të kaluarën kanë refuzuar të takohen me Presidentin Vuçiç, duke thënë se presidenti nuk ka të drejtë kushtetuese të zhvillojë bisedime me ta.

“Çdo lloj krize përbën një problem serioz për ekonominë tonë”, tha Presidenti Vuçiç. "Një situatë e tillë në shoqëri nuk është e mirë për askënd".

Ai tha se do t’i dërgojë një kërkesë qeverisë serbe “për ristrukturimin më urgjent dhe më masiv të mundshëm” të saj.

“Në këto kohë të vështira politike, është bërë e qartë se kush është i gatshëm të punojë dhe të luftojë, kush jo, dhe duke pasur këtë parasysh, pres që më shumë se 50 për qind e ministrave të ndërrohen në ristrukturim emergjent”, tha ai.

Presidenti Vuçiç është përballur me akuza për frenim të lirive demokratike pavarësisht se zyrtarisht kërkon anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Ai ka akuzuar studentët se punojnë për fuqi të huaja për të rrëzuar qeverinë, por pa dhënë prova dhe pa saktësuar se për cilat fuqi bëhet fjalë.

Disa incidente kanë përshkuar protestat në rrugë javët e fundit, përfshirë dy incidente në të cilat shoferët përplasën makinat me turmën duke plagosur dy vajza të reja.

Policia rrugore siguroi të hënën bllokadën e studentëve për të shmangur ndonjë incident të ngjashëm. Studentët protestues ngritën tenda në vendin e protestës, i cili është një kryqëzim i rëndësishëm.

Disa studentë luanin volejboll, të tjerë u ulën në batanije në trotuar ose shëtisnin në një ditë të ngrohtë. Studentët mbajtën gjithashtu një heshtje 15-minutëshe përkujtimore në orën 11:52, pikërisht në të njëjtën kohë kur çatia në një stacion treni në Novi Sad u rrëzua më 1 nëntor.

Shumë në Serbi besojnë se çatia e madhe prej betoni u rrëzua për shkak të punës së parregullt të rindërtimit, pasojë e korrupsionit.

Prokurorët në Serbi kanë ngritur akuza kundër 13 personave, përfshirë një ministër të qeverisë dhe disa zyrtarë shtetërorë. Por, ish ministri i ndërtimit Goran Vesiç është liruar nga paraburgimi, duke nxitur dyshimet mbi pavarësinë e hetimit.

Stacioni kryesor hekurudhor në Novi Sad u rinovua dy herë në vitet e fundit si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë të infrastrukturës me kompanitë shtetërore kineze./ VOA

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:56
Protesta masive në Serbi, studentët japin leksione demokracie (FOTOT)

1738007946_IMG89301e1737988461746.jpg

Në Beograd, studentët kanë nisur një bllokadë 24-orëshe në Autokomandë, e cila do të zgjasë deri nesër, më 28 janar, në orën 10:00. Në orën 11:52, ata mbajtën një minutë heshtje për të nderuar 15 viktimat e aksidentit në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit.

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 27 Janar, 09:30

    A mendoni se vota e diasporës do të jetë përcaktuese në zgjedhje?



×

Lajmi i fundit

Minella Aleksi: Historia nuk përsërit veten, njerëzit shpesh e bëjnë për mirë ose për keq

Minella Aleksi: Historia nuk përsërit veten, njerëzit shpesh e bëjnë për mirë ose për keq