Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë tha se ka arrestuar një person në pikëkalimin kufitar të Mutivodës – që lidh Kosovën me Serbinë – nën dyshime për krime lufte.

“Ekzistojnë dyshime të bazuara se më 14.06.1999, në vendin Sofali, Prishtinë, në bashkëkryerje me disa pjesëtarë të UÇK-së, me armë të ftohta dhe armë zjarri, në mënyrë mizore dhe tinëzare, ua ka marrë jetën civilëve të nacionalitetit serb, çiftit bashkëshortor Vlladimir dhe Persa Stanisavljeviç”, u tha në njoftimin e MPB-së serbe.

Ndaj O.S., i lindur më 1953, është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata e Lartë në Beograd, thanë autoritetet serbe.

Në njoftimin e MPB-së serbe nuk u tha saktë nëse i dyshuari ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Ministrinë e Punëve dhe Diasporës të Kosovës për të kuptuar nëse ka informacione për këtë rast dhe është në pritje të përgjigjes.

Viteve të fundit, Serbia ka arrestuar vazhdimisht shtetas të Kosovës nën pretendime për krime lufte në Kosovë më 1998-’99.

Serbia gjatë viteve ’90 e karakterizoi UÇK-në si organizatë terroriste, ndërsa për Kosovën, UÇK-ja është organizata që mbrojti popullsinë lokale nga represioni i forcave të armatosura jugosllave./REL