TIRANE- Gjatë një konferencës për shtyp për prezantimin e edicionit të 41-të të konkursit ndërkombëtar të bukurisë “Miss Globe”, Petri Bozo, producenti i këtij eventi, ka dhënë lajmin se Miss Serbia nuk do të marrë pjesë.

Sipas Bozos shkak për këtë vendim nga ana e përfaqësuesve sërbë është natyrisht ndeshja famëkeqe e futbollit Serbi – Shqipëri. Producenti i “Miss Globe” ka thënë gjithashtu se vetë drejtori nacional serb, për këte konkurs bukurie, i ka komunikuar vendimin e mospjesëmarrjes, me frikën se mos lindnin incidente të tjera gjatë qëndrimit të vajzës serbe në Shqipëri.

“Më vjen keq për këtë, sepse të gjitha vajzat serbe që kanë marrë pjesë në ‘Miss Globe’, gjatë viteve të kaluara, janë larguar me përshtypjet më të mira nga Shqipëria e madje kanë shprehur edhe dëshirën të kthehen sërish. Por ky ishte vendimi i tyre”- deklaroi producenti Bozo për mediat.

Ky është edicioni i 11 dhe i fundit i “Miss Globe” që zhvillohet në vendin tonë. Këtë vit gara e bukurisë do të startojë më 8 Nëntor, në qytetin e Shkodrës.

Redaksia Online
(e.n/Shqiptarja.com)