Ministri Pirro Vengu ka zbuluar detaje nga marrëveshja trepalëshe në fushën e Mbrojtjes, mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, duke thënë se të tre shtetet kanë nevoja të përbashkëta për rritjen e sigurisë.
Kujtojmë se kjo marrëveshje mes tre vendeve është kundërshtuar ashpër nga Serbia, e cila përmes përfaqësuesve zyrtarë e cilësoi si agresion ushtarak.
“Patjetër kam vënë re një sens paniku nga deklarata zyrtare në Beograd, qoftë mediatike, qoftë politike. Marrëveshje Shqipëri-Kroaci-Kosovë është një marrëveshje trepalëshe që nuk është ndërtuar kundër askujt. Madje kam qenë unë vetë i pari që kam shprehur edhe ftesë pse jo, që Serbia nëse gjykon se rajoni, stabiliteti, qëndrueshmëria dhe e ardhmja euroatlantike e vendeve të rajonit, është e rëndësishme, atherë pse jo edhe Serbia t’i bashkangjitet kësaj iniciative. Nuk kam marrë përgjigje për këtë ftesë.
Ajo që mund të them është se Shqipëria, Kosova, Kroacia, kanë filluar në bazë të kësaj marrëveshjeje, qoftë në rrafshin ushtarak, stërvitor, apo akademik-arsimor, të bashkëpunojnë. Me kosovën kemi një dakordësi përsa i përket prodhimit të mjeteve të blinduara. Kjo vjen për dy arsye. E para sepse lexojmë kërcënimet dhe rreziqet në rajon në mënyrë të njëmendtë. E dyta, nuk besoj se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë të marrin leje përsa i përket kësaj pjese, e treta mikpresim edhe vende të tjera të na bashkangjiten.
Është një partneritet i hapur. Por nuk jemi në situatat e garancive të mbrojtjes. Ne kemi arkitekturën tonë të sigurisë kolektive, por kemi vënë re që të treja vendet kanë nevoja të ngjashme, përsa i përket rritjes së kapaciteteve. Janë në një marrëveshje për të marrë secila më të mirën nga tjetra, përsa i përket industrisë ushtarake. Kroacia është vend lider në Europë përsa i përket dronëve të vegjël ushtarakë. Sikundër edhe ne synojmë që në kuadër të mjeteve të blinduara të krijojmë një epërsi dhe pse jo edhe të nisim të eksportojmë”, vijoi Vengu.
Lajmi kryesor:
Vengu paralajmëron rishikimin e strategjisë së Mbrojtjes: Rritje e pagave dhe e numrit të personelit ushtarak, Shqipëria do prodhojë vetë armë dhe municion








