Serbia heq dorë nga miniera e diskutueshme e litiumit

Serbia heq dorë nga miniera e diskutueshme e litiumit

Kryeministrja serbe, Ana Brnabiç

Qeveria e Serbisë ka hequr dorë nga planet e saj për të ndërtuar një minierë masive të litiumit pas disa javësh protestash qytetare për shkak të ndikimin mjedisor të këtij projekti që llogaritej të arrinte vlerën prej 2 miliardë dollarësh. Gjigandi anglo-australian i minierave “Rio Tinto” ishte duke zhvilluar këtë minierë në Serbinë perëndimore në një përpjekje për të tërhequr investime të huaja dhe për të nxitur rritjen ekonomike. Miniera e litiumit, e cila parashikohej të ishte një nga më të mëdhatë në botë, u pa si një mënyrë për të kapitalizuar kërkesën globale në rritje për elementin që përdoret gjerësisht në bateritë që shfrytëzohen për pajisje elektronike dhe automjete elektrike.

"Serbia i ka përmbushur të gjitha kërkesat nga protestat mjedisore dhe i ka dhënë fund “Rio Tintos” në Republikën e Serbisë," tha kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiq gjatë një paraqitje televizive më 20 janar.

Projekti i diskutueshëm çoi në një seri protestash javëve të fundit, duke përfshirë bllokimin e një autostrade kryesore Beograd, më 15 janar. Grupet mjedisore kishin argumentuar se miniera do të ishte shkatërruese për tokën bujqësore dhe furnizimet me ujë. Pas protestave, një autoritet komunal në fillim të këtij muaji anuloi planet për të ndarë një tokë për minierën pranë Loznicës, në luginën perëndimore të Jadarit. Qeveria serbe tërhoqi gjithashtu dy ligje që aktivistët kishin thënë se ishin krijuar për të përshpejtuar projektet e minierave. Në komentet e saj televizive, Brnabiç tha se të gjitha "lejet dhe vendimet" në lidhje me projektin e kompanisë globale të minierave “Rio Tinto” ishin anuluar. Protestuesit kishin kërkuar që jo vetëm “Rio Tinto”, por çdo kompani minerare, të ndalohej nga nxjerrja e litiumit në vend

“Rio Tinto” kishte kryer punë paraprake inxhinierike për minierën dhe kishte ngritur një njësi serbe, “Rio Sava Exploration”, por këtë muaj e shtyu afatin kohor të projektit për shkak të vështirësive në marrjen e licencave të nevojshme për të përfunduar një vlerësim kyç mjedisor.

"Ne i kuptojmë plotësisht shqetësimet midis disa aktorëve në Serbi në lidhje me ndikimet mjedisore dhe do të vazhdojmë të angazhohemi për të demonstruar se projekti ka zhvilluar zgjidhje reduktuese në planin e projektit," tha kompania më 20 janar.

Polemikat kishin shtyre kompaninë “Rio Tinto” të shtynte datën e synuar për fillimin e prodhimit të litiumit nga viti 2026 në vitin 2027. Autoritetet serbe kanë njoftuar se investimet totale të kompanisë në këtë projekt arritën në më shumë se 209 milionë dollarë që nga viti 2004.

Vendimi për të anuluar projektin vjen përpara zgjedhjeve që do të zhvillohen në Serbi me 3 prill, me presidentin Aleksander Vuçiç që u kritikua për përkrahje të zhvillimit të projektit përpara shqetësimeve mjedisore. Çështjet mjedisore janë bërë një shqetësim publik për serbët mes ndotjes së lartë të ajrit, menaxhimit të dobët të mbeturinave dhe problemeve të tjera mjedisore që janë grumbulluar pas dekadash neglizhence./REL

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Dy ish kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' 

Dy ish kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love'