MILANO - Milani u mposht 2-3 këtë të diel nga Atalanta në ‘San Siro’ për llogari të raundit të 36-të në Serie A, me kuqezinjtë që rrezikojnë vendin e katërt që të dërgon në Champions League.

Miqtë nga Bergamo e nisën vrullshëm takimin, duke kaluar në epërsi që në minutën e 7-të me golin e brazilianit Ederson. Kur pritej reagimi i vendasve, Atalanta goditi sërish me Davide Zappacosta që dyfishoi shifrat pas asistimit të Nikola Krstovic në minutën e 29-të.

Pjesa e parë u mbyll me dominimin e plotë të Atalantës, ndërsa edhe fraksioni i dytë nisi në të njëjtin ritëm. Giacomo Raspadori realizoi për 0-3 pas një asistimi tjetër nga Ederson, duke e vënë Milanin në një situatë shumë të vështirë.

Pas këtij momenti tifozët e Milanit u larguan nga stadiumi në shenjë proteste për rezultatet e fundit, teksa kanë kontenstuar shefin ekzekutiv të klubit, Giorgio Furlani.

Megjithatë, kuqezinjtë reaguan në minutat e fundit. Strahinja Pavlovic ngushtoi diferencën në 1-3 në minutën e 87-të, ndërsa në shtesë Christopher Nkunku realizoi nga penalltia për rezultatin përfundimtar 2-3.

Kjo humbje e lë Milanin në një pozitë të rrezikshme në garën për një vend në Champions League. Juventusi mban vendin e tretë me 68 pikë, ndërsa Milani renditet i katërti me 67, aq sa ka edhe Roma në pozitën e pestë.

Në ndeshjen e radhës, Milani udhëton në Genoa, ndërsa Atalanta do të presë Bolognan në një tjetër sfidë të rëndësishme.