ITALI - Milani ka marrë një fitore të rëndësishme 0-1 në transfertë përballë Veronës, në sfidën e zhvilluar sot në stadiumin ‘Antonio Bentegodi’, e vlefshme për raundin e 33-të të Serie A.
Rasti i parë serioz i takimit erdhi në minutën e 41-të, moment në të cilin u zhbllokua edhe sfida. Pas një aksioni të shpejtë dhe një asistimi të saktë nga Rafael Leao, ishte Adrien Rabiot ai që dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë avantazhin kuqezinjve. Ky ishte goli i gjashtë i francezit këtë sezon me fanellën e Milanit.
Verona reagoi në minutat shtesë të pjesës së parë, ku Rafik Belghali pati një mundësi të mirë për të barazuar, por tentativa e tij u ndal nga një pritje vendimtare e portierit Mike Maignan.
Në pjesën e dytë, Milani gjeti sërish rrugën e rrjetës në minutën e 75-të me Matteo Gabbia, por goli u anulua pas rishikimit me VAR.
Në fund, ndeshja u mbyll me rezultatin minimal 0-1. Me këtë fitore Milani arrin në kuotën e 66 pikëve, duke barazuar Napolin dhe duke u ngjitur në vendin e dytë në renditje.
Pesë raunde nga fundi i sezonit, Interi duket ‘me një dorë’ te titulli i 21-të kampion pasi ka një diferencë prej 12 pikësh nga ndjekësit e Milanit dhe Napolit.
Komente









