Biznesi i reperit Rigels Rajku, i njohur me emrin e artit ‘Noizy’, në zonën e Ilirisë në Durrës, është vënë sërish në shënjestër.

Në orët e para të mëngjesit, në derën e dyqanit të veshjeve është gjetur një sasi e vogël tritoli por nuk ka shpërthyer. Policia ka sekuestruar lëndën plasese dhe po punon për identifikimin e autorit. Ne katin e dytë gjendet dhe lokali i tij.

Dyshimet e para janë se lënda plasëse mund të jetë vendosur si formë presioni ndaj reperit, por deri tani nuk ka një pistë zyrtare.

Artistit Rigels Rajku dyshohet se në vitin 2022 iu vendos tritol në lokal, sipas SPAK me urdhër të Laert Haxhiut, pasi reperi i kishte rrahur mikun e tij Cllevio (Kleviol Ahmeti). Cllevio ka mohuar vendosjen e tritolit dhe ka thënë se nuk e ka kërkuar asnjëherë ndihmën e Haxhiut për sherrin me Noizyn.

Rreth 100 gr tritol shpërtheu në biznesin e reperit qershorin e atij viti. Dëmet materiale në dyqanin e veshjeve dhe lokalin që ndodhen në katin e parë e të dytë të një pallati pranë zonës bregdetare të Durrësit ishin të mëdha. Lënda plasëse ishte vendosur në murin e jashtëm të biznesit dhe ishte ndezur me fitil përcjellës.

Sipas dëshmisë në GJKKO të të penduarit të drejtësisë, Artan Tafanit, ishte ky vetë në krye të operacionit, ndërsa komandimin e bënte Laert Haxhiu nga distanca.

4 vite pas ngjarjes, babai i Noizyt, Bashkim Rajku, ka thënë se ende sot nuk e di arsyen pse i vunë tritol në biznesin familjar.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.