VIDEO/ Shpërthim me tritol në lokalin ‘Rigels Shisha Lounge’ dhe në butikun 'Illyrian' në Durrës, në pronësi të reperit Noizy! Këngëtari pak ditë më parë u përfshi në sherr Cllevion

DURRËS- Rreth 100 gr tritol shpërtheu në bizneset e reperit të njohur Rigels Rajku, njohur me emrin e artit "Noizy".  Siç shihet në pamjet e siguruara nga Report Tv dëmet materiale janë të mëdha në dyqanin e veshjeve dhe lokalin që ndodhen në katin e parë të e të dytë të një pallati pranë zonës bregdetare të Durrësit.

Lënda plasëse është vendosur në murin e jashtëm të biznesit dhe është ndezur me fitil përcjellës, thanë burimet e policisë. Shpërthimi i fuqishëm ndodhi rreth orës 04:00 të mëngjesit tregojnë banorët e pallatit, të cilët kanë pësuar dëme materiale.

Policia bën të ditur se ambientet e butikut "Illyrian" dhe të lokalit "Rigels Shisha Lounge" janë marrë me qira nga Bashkim Rajku, babai i Noizy-t.

Burime nga Policia e Durrësit thonë se nuk kanë arritur të zbulojnë element të rëndësishëm për hetimin, pasi Noizy është treguar i referuar gjatë marrjes në pyetje. Reperi ka deklaruar se ishte në gjumë kur ndodhi shpërthimi dhe nuk e ka drejtuar gishtin tek askush!

Dy ditë më parë Noizy dhe babai i tij u vunë në qendër të vëmendjes mediatike, pas një konflikti që patën ndaj, Clevio Serbiano, një personazh i njohur kryesisht për videot në rrjetin social "Tik-Tok" që gjithashtu merret me muzikë. Video teksa Noizy grushtonte të riun përpara lokalit të tij në zonën e Currilave, u publikua në rrjetet sociale, dhe policia i vuri në hetim në gjendje të lirë, babë e bir.  Sipas asaj që ka shkruar reperi në Instagram, gjithçka ndodhi pasi Cllevio me emrin e vërtetë, Kleviol Ahmeti , i ofendoi familjarët.

Por teksa zihej me Noizyn, Kleviol Ahmeti duhej të ishte në shtëpi, pasi Gjykata e Lushnjes kishte caktuar ndaj tij masë arresti shtëpiak për posedim të lëndëve narkotike dhe armë të ftohta pa leje. Ai është vënë në pranga menjëherë pas sherrit për thyerje të masës së sigurisë, ndërsa do të hetohet edhe për përplasjen me Noizyn.

36-vjeçari nuk është i njohur vetëm për këngët. Në vitin 2014, emri i Clevios, u përfshi në historinë e avionit Piper që u rrëzua në Divjakë teksa transportonte drogë dhe armë. Bashkë me pilotin Italian Giorgio Riformato dhe disa shqiptarë të tjerë, Cllevio u hetua dhe u dënua me 10 vite burg, por përfitoi ulje me 1/3 e dënimit pasi iu pranua gjykimi i shkurtuar, duke u liruar në vitin 2020.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:50
Një vit para sherrit me Noizyn, Cllevio ndaloi babanë e tij në rrugë: O xhaxh, e ke djalin kampion! Unë jam gjuajtës nga Amerika, jam pantera që të gjej

 

Kleviol Ahmeti, i njohur ndryshe si Cllevio u përfshi në sherr me reperin Noizy para disa ditësh dhe aktualisht është i arrestuar pasi shkeli masën e arrestit në shtëpi. Në rrjete sociale ishte shumë aktiv dhe në një prej videove që u bë para një viti, ndoqi babain e Noizyt, Bashkim Rajkun.

Cllevio e ndaloi për ta përshëndetur dhe pasi u largua, porositi shoferin e tij që të shoqëronin të atin e reperit Noizy deri në shtëpi. Ndër të tjera flet me fjalë të mëdha për Noizyn duke e cilësuar si reper që ka shkruar historinë, por më vonë u përfshinë në sherr.

“O xhaxh, po të përshëndes për qejf, edhe unë jam një nga ata që djali jot nuk e ka qejf por ti je baba edhe e ke kampion djalin, pavarësisht se ne në rrugë, unë jam Cllevio Serbiano, respekte, gjujts nga Amerika. Kupto ti ore Noizy. Ishte king edhe babi jot. Edhe unë e kam king babin. Ky jam unë, pantera që të gjej. Hape krahun të kalojë babai i Noizyt dhe unë do e ndjek eskortë, është në besën time deri te shtëpia jote se mos i ndodh gjë rrugës. Ec se do e shoqërojmë. Se mos thuash më preu në besë, më kapi babin. Jo, as nga ty nuk kam gjë, seriozisht. Të takon respekti se je reper që ke shkruajtur historinë. Kjo ishte thjesht rastësi", thotë Cllevio.

Ndërkohë në orët e para të mëngjesit të sotëm, iu vu tritol dy bizneseve të reperit Noizy që dyshohet të ketë ardhur prej sherrit të fundit.

 

 

Ora 11:08
Sherri me Noizyn/ Kush është Cllevio, i dënuar më parë për trafik droge! Ishte mes të arrestuarve për aeroplanin që u rrëzua në Divjakë, kishte drogë dhe armë

 

Kleviol Ahmeti, i njohur ndryshe si Cllevio Serbiano, 36-vjeç që është arrestuar pasi theu masën e arrestit në shtëpi dhe u përfshi në sherr me reperin Noizy, dhe që dyshohet për vendosjen e tritolit në bizneset e këtij të fundit në Durrës ka qenë më parë i përfshirë në një rast trafiku droge. Në vitin 2014, aeroplani i llojit Piper ishte rrëzuar në Divjakë, që po transportonte drogë dhe armë, teksa drejtohej nga piloti italian, Giorgio Riformato, ndërsa hetimet e zhvilluara zbuluan se pas këtij rrëzimi fshihej një grup kriminal i trafikut të drogës, ndër të arrestuarit ishte edhe Ahmetaj.

Asokohe në pranga ranë disa shtetas shqiptarë si bashkëpunëtorë të pilotit italian, në mesin e të cilëve edhe Cllevio dhe u dënuan në total me 47 vite burg – reperi u dënua me 10 vjet burg. Ata ishin të bashkëpandehurit e pilotit italian, por u gjykuan në një proces të veçuar. Të gjithë këtyre personave iu ul dënimi me 1/3 nga gjykimi i shkurtuar që kishin përfituar. Kështu, Ahmeti e kreu dënimin me burg prej gjashtë vitesh dhe doli në vitin 2020 për të vazhduar me projektet muzikore.

Ai ishte arrestuar sërish në mars të vitit 2021 nga policia në Lushnje, pasi është kapur duke drejtuar mjetin pa leje drejtimi, ndërsa gjatë kontrollit “u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy doza me lëndë narkotike cannabis sativa dhe tre armë të ftohta (thika)”. Pas kryerjes së dënimit prej 13 muajsh, Cllevio u lirua nga burgu në prill të vitit 2022.

Ora 08:06
Tritoli në lokalin e Noizyt në Durrës, flet fqinji: Dëgjuam shpërthim të fortë, më është dëmtuar dera e ballkonin dhe makina

Një shpërthim me tritol ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Durrës, ku i është vendosur tritol lokalit të Rigels Rajkut, i njohur si Noizy. Në një intervistë për Report Tv, fqinji tha se dëgjuan një shpërthim shumë të fuqishëm, ndërsa tha se i është thyer xhami i ballkonit dhe i makinës.

‘Dëgjuam një krismë, u trembëm shumë. Pata dëmtim në derën e jashtme të ballkonit. Më është thyer edhe xhami i makinës.’- u shpreh fqinji.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim