Sevim Arbana: Ta ndërtojmë
shoqërinë bashkë me burrat

TIRANE - Drejtuesja e organizatës “Në Dobi të Gruas Shqiptare”  tregon për nismën e OJF-ve UNDP dhe pushteti lokal.

Dy moto mjaft interesante shoqërojnë fushatën tuaj. Secila domethënëse por si keni arritur në përzgjedhjen e “Gruaja bën Histori çdo ditë ” dhe “Festë apo protestë”. Cfarë do të thonë këto moto më konkretisht dhe më thjesht?

“Në Dobi të Gruas Shqiptare” është një organizatë e vjetër, e cila lindi në vitet e stuhishme të shpresës dhe ëndrrës.  Lindur në 1993, në një Shqipëri të varfër dhe bosh, ne mundëm të ngjallim një fije shprese tek gratë dhe vajzat. Slogani ynë për dhjetë vjet ishte; “Ndihmoni veten me punën tuaj!”

Ky slogan u bë moto për shumë nisma dhe aktivitete, që do të ndërtonin fytyrën e dobishme të organizatës sonë. Ne u bëmë të dobishme dhe arritëm të përballojmë me sukses dhe vetmohim, vitet e tmerrshme të tranzicionit, luftës, varfërisë, duke ngritur një ëndërr dhe duke u përpjekur.

Pas kësaj fillon një erë e re dhe për ne dhe shoqatën tonë. Duke dashur t’i mëshojmë faktit, se sa të rëndësishme, të dobishme, të forta jemi ne, lindi slogani; “Gratë bëjnë histori cdo ditë!”. Domethënia e këtij slogani, është shumë më e madhe se ajo që tingëllon.

Ne, gratë, të varfëra e të pasura, të shkolluara e të pashkolluara, të mbyllura në shtëpi, të ndodhura në sallat e politikës, në biznes dhe kudo- bëjmë histori! Ne japim jetë! Bëjmë histori! Ne rrisim breza! Bëjmë histori! Ne mbartim dru e barra të rënda! Ne bëjmë histori!

Edhe kur dhunohemi, ne bëjmë histori, pasi atë e shkruajmë dhe e kundërshtojmë, s’e pranojmë dhe e luftojmë.  Ndërkohë, duke përdorur datat e Ditëve Ndërkombëtare për Gruan, si një mundësi për të ngritur zërin tonë, për të kërkuar të drejtat tona, prej më shumë se 10 vjetësh, ne kemi hedhur sloganin; “8 Marsi festë apo protestë?”.

Ne s’duam që gratë të festojnë një ditë; për 8 Mars. Ne duam që gratë të festojnë 364 ditë dhe në 8 Mars, te (mani)festojnë duke kërkuar punë, arsimim, të drejta, vendimmarje, jo dhunë etj.

Duke iu referuar dhe historisë se 8 Marsit, përpjekjeve dhe luftrave të grave për të arritur këtu ku jemi, ne bëjmë jo vetëm homazh për gjitha gratë në botë, po dhe mësojmë e edukojmë gratë shqiptare, që në mënyrat më të bukura demokratike, të kërkojnë të drejtat dhe liritë e tyre.

Ndaj nesër, me festë dhe protestë, ne do t’i japim publikut shqiptar, imazhin e një gruaje që e di cfarë kërkon, e di ku do shkojë dhe e di se kush është.

Cilat janë sipas jush historitë e përditshme të grave shqiptare?
Para shumë vitesh, unë kam shkruajtur reportazhin ‘Ditari i gruas shqiptare’. Aty përshkruaja një ditë nga ditët e zakonshme të cdo gruaje intelektuale, biznesmene, shtëpiake, fshatatare, politikane.  Ne të gjitha ato grupe, me gjithë diferencat e standarteve që vinin nga shkollimi, ekonomia dhe botëkuptimi, të gjitha gratë përballeshin me halle të mëdha; mungesa e dritave, ujit, shkollave, krimi.

Ndërsa sot historitë e përditshme të grave shqiptare, janë aq të ndryshme dhe shpesh herë duket sikur shoqëria shqiptare po shkon drejt një polarizimi pa sens, tipar jo i vendeve të zhvilluara, po i vendeve me anarshi të zhvilluar.

Ndërsa ju pyesni, unë kam parasysh, gjithë ato histori grash, që dëgjoj çdo ditë, përmes telefonit grua apo ballë për ballë.Histori ngjethëse, që çuditesh si ndodhin në shek.21, në një vend ngjitur me derën e madhe të Evropës. Ndërkohë, dëgjoj dhe histori grash, që ia kalojnë historive të telenovelave me pasanike dhe milionere.

Festë apo protestë, 8 marsi është një ditë që kalamendet mes këtyre dy përcaktimeve. Për ju çfarë është?

Për mua, edhe kur kam qenë e re, edhe kur kam jetuar në diktaturë, 8 Marsi , s’e di po s’ka patur sens. S’ka patur sens, kur shihja ato tufa grash super ’të lumtura’, që ‘harbonin me njëra- tjetrën.  S’kishte sens, se e dija si shumë të tjera, se s’ishim të lumtura. Edhe sot, për mua 8 Marsi, s’ka sens te jetë festë.

Për mua vazhdon të jetë protestë; protestë për ujin e ndotur, dhe të munguar, për dritat me orar dhe të shtrenjta, për rrugët dhe ambientin pis, për shkollat e qeverisura keq, për papunësinë, për varfërinë, për korrupsionin, për indiferentizmin qytetar, e mbi të gjitha; për mungesën e barazisë në kuptimin e saj të plotë, e cila shprehet përmes dhunës e krimit të pashoq, ndaj gruas. Protestë përmes festës,ka një sens, pasi mund të shpojmë veshët e shurdhët të qytetarëve në këtë vend!
 
Udhëtimet me autobuzë, aktivitete në disa qytete krijojnë idenë e një levizjeje të gjerë që përfshin Shqipërinë në 8 mars. Por realisht sa mendoni që të jetë pjesëmarrja?
Le të provojmë. Shqiptarëve asgjë më s’u bën përshtypje, po dalëngadalë, le të tentojmë. Dicka do tu ngelet. Unë besoj! Kjo nismë e UNDP dhe pushtetit lokal në shumë qytete, ka si qëllim që të eliminojë dhunën dhe gjithë format e saj, ndaj grave, fëmijëve. Në linjat urbane, ku njerëzit që hipin , janë zakonisht ata më të varfërit dhe që përballen me dhunën, kjo mund të jetë një “lesson learning”.

Shoqëria jonë nuk është shumë e dhënë pas protestave civile. Besoni tek zgjimi i njerëzve, tek dalja e tyre nga pasiviteti?
Unë besoj tek vetja. Vetë jam një luftëtare e paepur dhe do jem gjithmonë në mes të protestave, do jem gjithmonë oponencë e fortë me pushtetin, zë që do të dëgjohet dhe një model. Shoqëria jonë duket sikur lëngon.

Ajo ka një sëmundje; kjo është indiferentizmi që lidhet me mungesën e kulturës dhe interesit. Shpresojmë dalëngadalë, të gjithë duke kontribuar, të rilindim ose lindim shpresën dhe qytetarinë.

Cili është qëllimi juaj në këtë ditë dhe sa munden realisht të çojnë drejt zgjidhjeve aktivitetet dhe organizime të tilla?
Nuk besoj në zgjidhje, Besoj në një reagim, i cili duke u rritur dalëngadalë, mund të krijojë premisë zhvillimi, oponencë dhe debat. Pas kësaj, ka shanse që Shqiperia të futet në rrugën e zhvillimit. Duket se do të jetë një proces i gjatë.

Nje nga simbolet e kesaj dite është mimoza dhe kjo nuk mungon në aktivitetet tuaja… Përse vetëm kjo lule?
Mimoza simbolizon dhe pranverën, dhe shpresën, dhe gruan, dhe delikatesën. Beson shpejt, deziluzionohet, zhduket, po ama, zbukuron ditët dhe kohën, jep shpresë që pranvera erdhi. Ne jemi mimoza!

Duke qëndruar tek simbolet, është edhe një fjongo lejla. Cfarë simbolizon?

Fjongoja lejla/vjollcë, simbolizon levizjen e gruas., më mirë lëvizjen feministe. Ne jemi lëizje feministe, po nuk urrejmë burrat. Bashkë me burrat duam të ndërtojmë shoqërinë!

Shkrimi u botua sot Suplementin Fundjava në gazetën Shqiptarja.com (print) 08.03.2013

 

Redaksi Online

(b.m/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Ndikimi i Trump në Shqipëri, Galdini: Presidenca e tij do u dalë shtrenjtë politikanëve tanë! SPAK do trokasë në dyert e tyre

Ndikimi i Trump në Shqipëri, Galdini: Presidenca e tij do u dalë shtrenjtë politikanëve tanë! SPAK do trokasë në dyert e tyre