Sezoni i ri arsimor, 80% e shkollave në
qarkun e Tiranës brenda standardeve

Sezoni i ri arsimor, 80% e shkollave në<br />qarkun e Tiranës brenda standardeve
80% e shkollave në qarkun e Tiranës janë brenda standardeve. Lajmi u bë i ditur nga Drejtoresha e Drejtorisë Arsimore për Qarkun e Tiranës, Eglantina Metani, gjatë një tryeze të organizuar nga Prefekti i Tiranës, Sadi Vorpsi me rastin e fillimit të sezonit të ri arsimor.
 
Tryeza në thelb kishte  pasqyrimin e planit të masave që kanë të bëjnë me qarkullimin rrugor, policinë e shtetit, Drejtorinë Arsimore Rajonale të Tiranës si edhe atë Qarkut të Tiranës, OSSHE dhe Ujësjellësin, Drejtorinë e Higjenës Drejtorisë Rajonale të shërbimit Social.
 
Kreu i Prefekturës së Tiranës, Sadi Vorpsi theksoi se sfidat janë të shumta, prandaj dhe bashkëpunimi është mënyra më e mirë për të tejkaluar këto sfida.  “Ankthi i çdo qytetari këto ditë, është trafiku i rënduar i cili shpesh bëhet shkak për aksidente. Në rolin e Prefektit të Qarkut të Tiranës do  kërkoja nga policia e shtetit të jetë e pranishme e të mobilizohet sidomos në orët e mëngjesit për mbarëvajtjen e drejtuesve të automjeteve dhe shmangien e çdo rasti që do të vinte në rrezik jetën e qytetarëve. Gjithashtu do të kërkoja nga çdo drejtues shkollash, sidomos në gjimnazet e Tiranës, të bashkëveprojë me policinë e shtetit për të shmangur zënkat e adoleshentëve dhe rasteve të papëlqyeshme”. Po ashtu, Prefekti Vorpsi kërkoi nga ujësjellësi dhe OSSHEE-ja më shumë vëmendje.
 
“Një nga problematikat e shumta që hasen gjatë vitit shkollor është mungesa e ujit dhe furnizimi me energji elektrike, sidomos gjatë muajve të ftohtë të dimrit, që janë kushtet minimale që duhen garantuar për mbarëvajtjen e orarit mësimor, vecanërisht në shkollat ku zhvillohet mësim dhe në orët e pasdites. Do të kërkoja garancinë e plotë të Institucioneve përgjegjëse për të parë me prioritet këto problematika”, tha Vorpsi.
 
Kreu i Prefektit të Tiranës gjithëashtu kërkoi më shumë bashkëpunim mes drejtuesve të shkollave, psikologëve dhe Policisë me Prindërit për të identifikuar problematikat që në gjenezë.
 
Ajola Byzyka, Drejtoreshë e Drejtorisë Rajonale për Tiranën, tha se institucioni që ajo drejton ka marrë të gjitha masat për sezonin e ri arsimor. Ajo tha se bashkëpunimi me policinë është në nivelet më të larta.  Byzyka pranoi se problem mbetet fakti se po ristrukturohen disa shkolla dhe nxënësit e këtij institucioni do të vijojnë në një shkollë tjetër dhe Policia duhet të marrë masa për të menaxhuar situatën në institucionet arsimore ku fluksi do të jetë më i larët. Byzyka tha se gjatë kësaj periudhe janë marrë masa për higjenën në shkolla, duke bërë analizat e duhura, si dhe i është kërkuar Ujësjellësit dhe OSSHE-së furnizimi pa ndëprerjre i Energjisë Elektrike.
 
Drejtoresha e Arsimore për Qarkun e Tiranës, Eglantina Metani shtoi se në periferinë e Tiranës ka një problematikë të gjerë në infrastrukturën e shkollave. “Në Krrabë, Dajt, Zallherr, Shën Gjergj, Vorë…etj, shumë institucione janë të amortizuara dhe kanë nevojë për ndërhyrje. Por, vijoi Metani, në pjesën qendrore të Tiranës, Kamzës dhe gjithë qarkut rezulton një infrastrukturë e kënaqëshme, pasi 80% e shkollave janë brenda standardeve”, tha ajo.
 
Kreu i Policisë së Tiranës, parashtroi planin e masave të marra për mbarëvajtjen e sezonit të ri arsimor. Sipas tij, Drejtoria e Policisë Rrugore ka identifikuar zonat më problematike për qarkullimin rrugor, që përkojnë dhe me shkollat dhe për këto zona do të ketë një menaxhim më specifik për të mënjanuar trafikun e rënduar në orën e hyrjes dhe daljes së nxënësave nga shkolla. Gjithashtu, tha Hodaj, do të kontrollohen imtësisht dhe monitorohen në vazhdimësi shitësit ambulante pranë shkollave. “Këta të fundit dhe jo vetëm janë burimi i kryesor i futjes së lëndëve narkotike apo pijeve alkolike në ambientet mësimore. Kërkojmë, tha në fund Hodaj, bashkëpunim me të gjithë drejtuesit e shkollave dhe prindërit për të mënjanuar konfliktet brenda ambienteve mësimore dhe fenomene të tjera të jashtëligjshme”, tha Kreu i Policisë së Tiranës.
 
Më tej, gjatë tryezës së thirrur nga Prefekti Vorpsi, përfaqësuesit e OSSHE-së dhe Ujësijellësit dhanë garancitë e tyre për furnizim të pandërprerë me energji elektrike dhe ujë ne institucionet arsimore. Në të njëjtën linjë u shprehën dhe përfaqësuesit e Drejtorisë së Higjenës.


Redaksia Online
( b.h/Shqiptarja.com )

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kë do të forcojë më shumë protesta e 7 tetorit?



×

Lajmi i fundit

Diell dhe temperatura të larta, parashikimi i motit për sot 

Diell dhe temperatura të larta, parashikimi i motit për sot