Në trendet aktuale, ku ndodhen Ballkani dhe Evropa, është e pamundur që Kosova të shpëtojë e pandikuar qoftë nga kriza financiare në përgjithësi, qoftë nga kriza e eurozonës..Është me se e qartë se Kosova ka hyre në krizë me krizë dhe për këtë arësye njerëzia mendon se nuk do të ketë efekte aq të mëdha. Vetë fakti që shkalla e papunësisë është 40 për qind, importi zë 90 për qind , ndërsa eksporti 10 për qind, vetë fakti që qeveria eksporton para të gatëshme tregojnë për situatën, në të cilën ndodhet ekonomia kosovare. Po te analizohen të gjithë këta tregues, me siguri mund të arrihet në përfundimin se Kosova është shteti i vetëm, që financon stabilitetin ekonomik dhe social të vendeve të tjera në rajon dhe më gjerë dhe jo te vetë Kosovës, sepse, sikur paratë, që shkojnë për import, ose një pjesë e tyre, të qëndronin në Kosove, do të krijohej mundësia të përmirësohej ambienti biznesor. Me të vërtetë sfidat do të jenë shumë të mëdha për të ardhmen e afërt të Kosovës.
Në këto kushte si do t'i vlerësonit atëhere parashikimet e buxhetit të vendit për vitin 2012?
Po të analizojmë buxhetin e paraparë për vitin 2012, del se 860 milionë euro duhet të grumbullohen nga doganat, 280 milionë euro nga administrata tatimore e Kosovës, pra Qeveria aktuale e Kosovës mendon të mbahet nga importi dhe jo të forcojë sektorin privat përmes prodhimit dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.Kjo është shqetësuese, sepse dëshmon fare mirë se sa i rëndesishëm është për Kosovën hartimi i një plani strategjik afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë . Njeriu përpara se të dijë se ku të shkojë, duhet të dijë se ku është .Në këtë kuptim kam brengë se ekonomia kosovare nuk e ka ende kahjen e vet. Është e vërtetë që janë hartuar strategji të ndryshme ose ministrategji, mirepo plan nacional, ku të perfshihen këto strategji dhe vizione, nuk kemi dhe e gjitha kjo e vështirëson ardhmerinë e zhvillimit të Kosovës.
Pse është e rëndësishme kjo? Është utopike të mendohet se një shtet, i cili do të bashkohet me familjen evropiane, do të arrijë integrim politik përpara se të arrijë integrimin ekonomik. Që të arrijmë integrimin ekonomik, duhet të kemi internacionalizëm të ndërmarrësisë, të arrijmë standartet evropiane.
Buxheti i vitit të ardhshëm është një buxhet shpenzues dhe jo gjenerues. Miratimi i ketij buxheti
është politizuar deri në atë mas , saqë praktikisht nuk ka komente dhe analiza substanciale, profesionale, shkencore ekonomike. Mbi të gjitha dy sektorët baze, që mund ta nxjerrin Kosovën nga nje sutuatë e tillë, e për të patur prodhim, për të eksportuar më shumë dhe për të patur punësim, jane sektori i bujqësisë dhe ai i përpunimit të produkteve bujqësore, pra agrobujqësia. .Mirëpo, gjersa Dikasteri i Tregtisë dhe i Industrisë , që në vetvete përmban agjencinë për zhvillim të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, agjencinë për promovimin e investimeve, agjencinë për standartizim dhe certifikim, dhe Ministria e Byjqësisë e kanë buxhetin per vitin 2012 të shkurtuar, kjo është dicka, që të jep pak optimizëm.
Në Kosovë vit për vit shtohen në tregun e punës 35.000 të rinj, që janë fuqi punëtore e gatshme, por nuk kemi industri të zhvilluar, që të thithë këtë fuqi punëtore. I vetmi sektor, që mund të ndikojë në zbutjen e papunësisë, është bujqësia, por edhe ajo, me qëllim apo pa qëllim po anashkalohet ne planet buxhetore, gjë që mund të kthehet në bumerang për të ardhmen e Kosovës. Sektori i bujqësisë nuk zhvillohet vetëm me premtime. Duhet nje plan zhvillimor i agrobiznesit të zbatuar në praktikë. Eshtë koha, kur duhet të kemi edhe legjislacion, edhe strategji, edhe nje pragmatizem shumë më të madh në të gjitha proceset.
Ne ç'menyre marrëdhëniet ekonomike, sidomos me fqinjët, kanë dhënë dhe mund të japin mundësinë për për shpejtimin e zhvillimit ekonomik të Kosovës?
Një nga parakushtet e integrimit evropian është forcimi i partneritetit dhe i dialogut mes shteteve në rajon. Për fat të keq Kosova është e kufizuar, si në aspektin e mungesës së liberalizimit të lëvizjes së njerëzve, të shërbimeve e mallrave, ashtu edhe të bashkëpunimit ekonomik. Vetë fakti që jemi pjesë e marrëveshjes multilaterale CEFTA dhe, nga ana tjetër, e kemi të ndaluar kalimin tranzit nëpërmjet Serbisë , e kemi të ndaluar të shkojmë në Bosnjë , dëshmon fare mirë se cila është situata dhe pozita aktuale politike, ekonomike dhe sociale lidhur me levizjen e kosovarëve..
Në vitin 2010 kemi pasë import nga Serbia të evidentuar në mënyrë ligjore prej 283 milionë eurosh, por duke i shtuar këtij fakti edhe shumën e njëjtë të ekonomisë së zezë , mund të themi se me Serbinë kemi një tregti klasike prej rreth 800 milionë eurosh me produkte të pranishme në tregun kosovar, kur kosovarë t s'kanë as të drejtën e kalimit tranzit nëpër Serbi. Me dukuri të tilla ballafaqohemi edhe me Bosnjën apo fqinjë të tjerë , si Shqipëria e Maqedonia. Në këtë mënyrë as nuk promovohet rajoni, as inkurajohen investitorët e huaj për të investuar në këtë rajon.
Kushti i reciprocitetit a solli ndonjë gjë pozitive për Kosovën?
C'është e vërteta reciprociteti me Serbinë duhet të ishte bërë me herët. Ne si Odë Ekonomike e kemi kërkuar më përpara . Ka pasur mundësi për të bërë presion, pasi në Serbi shumë kompani kanë qënë të paracaktuara për të prodhuar vetëm për tregun kosovar. Kaq i fortë ka qënë një presion i tillë, sa ka ekzistuar mundësia që nëpërmjet aspektit ekonomik te ushtrohej edhe presion politik. Kjo zgjati vetëm 40 ditë dhe ka qënë një periudhë kohore shumë e shkurtër, por me rezultate pozitive. U shtuan produktet e prodhimit vendor, të cilat zëvëndësuan produktet e importit dhe u përforcuar gjer në një farë shkalle nacionalizmi ekonomik, qe ka efektet e veta.
Mirëpo qeveria e Kosovës u ngut në këtë drejtim, liberalizimi ose është liberalizim ose jo. Në këtë formë marrëveshja e arritur nuk mund të quhet në favor të zhvillimit ekonomik të Kosovës, marrëveshje me koncept pozitiv dhe reciprocitet. Vazhdon të jetë i pamundur kalimi i qytetarëve kosovarë me targa dhe dokumente kosovare dhe kjo nuk është një formë liberalizimi dhe implementimi të marrëveshjeve të arritura. Me sa duket, me Serbinë shumë më peshë kanë pozicionet politike, sesa ato ekonomike.
Avantazhet, që u krijuan për zhvillimin e biznesit të vëndit pas vendosjes së masave të reciprocitetit, nuk besoj te pasohen më me rikthimin e gjëndjes së mëparshme?
Këtë e dëshmojnë të dhënat nga Oda Ekonomike e Serbisë , sipas të cilave, ne krahasim me vitin e kaluar ka nje intensitet me te ulët të pranisë së produkteve serbe në Kosovë pas rikthimit te normalitetit tregtar. Kosova është një projekt dual politik dhe ekonomik i Serbisë në aspektin e shkatërrimit. Varësia ekonomike është shumë më e rrezikshme, se sa ajo politike. Është shumë interesante se edhe pas ngjarjeve të rënda, që kanë ndodhur, Sërbia vazhdon të ruajë një epërsi ekonomike të pashpjegueshme në Kosovë. Ka ardhur momenti për të ndërgjegjësuar konsumatorin kosovar dhe për t'u përqëndruar në të ardhmen e Kosovës, në ekonominë e saj dhe në prodhimtarinë vëndase.
Në këtë drejtim a mendoni se duhet të merrnin epërsi marrëdhëniet e Kosovës me Shqipërinë? Sikur janë hedhur deklarata e janë bërë plane, por si qëndron puna në aspektin praktik?
Megjithëse jemi një popull i përbashkët, po të analizojmë të dhënat ekonomike, nuk kemi shumë arësye për t'u mburrur në aspektin e bashkëpunimit ekonomik. Mosbesimi i krijuar midis Kosovës dhe Shqiperisë gjate vitit 1997 ka lënë gjurmë të thella. Biznesmenët shqiptarë bashkëpunojnë më lehtë me një biznesmen grek, italian, sërb sesa me një kosovar. Bizneset kosovare të hapura në Shqipëri nuk mund të quhen fortë të suksesshme Është krijuar një ngërç, i cili nuk ka shpjegim. Pse të mos ketë forma të gjalla bashkëpunimi e partneriteti. Është ndërtuar „Rruga e Kombit” dhe ajo kryesisht shfrytëzohet vetëm gjatë periudhës së verës, pa sjellë avantazhe të tjera.
Ekonomitë shqiptare dhe kosovare mund të plotësojnë fare mire njëra -tjetrën gjate cdo sezoni. Në këtë drejtim është bërë një punë jo serioze ndaj popullit dhe ndaj faktorit ndërkombëtar. Nevojiten ndryshime në mentalitet dhe përpjekje të përbashkëta për ndryshim. Përndryshe do të jetë e vështirë edhe për investitorët e huaj që të inkurajohen dhe aktivizohen. Kërkohet mbështetje institucionale, e cila për momentin mungon.
Oda Ekonomike ka mbajtur disa prezentacione në këtë temë , por deklaratat janë pritur jo mirë . Thjesht duhet marrë modeli i bashkëpunimit ekonomik brënda BE-s dhe të zbatohet në kushtet rajonale. Me sa duket, ekonomia mbetet në shërbim të politikës në të dyja vëndet dhe pjesëmarrja e klaneve dhe grupeve të interesit bën që bashkëpunimi ekonomik i Kosovës me Shqipërinë të anashkalohet dhe të mos jetë prioritet.
Ju si Ode Ekonomike keni bërë kë rkesë dhe keni parashtruar ndonjë platformë e cila paraqet mënyrat se si dy këto ekonomi mund të bëhen plotësuese për njëra -tjetrën?
Ne kemi pasur një bashkëpunim në aspektin teorik. Kemi një memorandum të nënshkruar me Dhomën e Ekonomisë dhe te Industrisë të Tiranës dhe Unionin e Dhomave. Dëshiroj që përveç memorandumeve në të ardhmen të ketë edhe aktivitete konkrete, bashkëpunimi të karakterizohet me pragmatizëm. Duke e njohur realitetin, ne kemi kërkuar të identifikohen pengesat e një bashkëpunimi më intensiv dhe jo vetëm të përfliten problemet në rang politik, pa substancë e thjesht për hir të medias. Jemi të vetëdijshëm se kjo gjëndje aktuale është në dëm të dy vëndeve dhe klimës per investime.
A njeh për ju klima e investimeve te huaja kufizime për fushat me interes reciprok?
Biznesi nuk njeh kufi dhe ngjyra, ekonomitë bashkojnë shumë shtete. Shëmbuj të mirë për këtë çështje shërbejnë organizmat paraardhës të BE-s, ku shtete të ndryshme u bashkuan për një bashkëpunim më të fortë ekonomik. Nuk ka rëndësi nga vjen kapitali, rëndësi ka të ketë një platformë dhe një vizion për projektet e mundshme. Të gjithë investitorët e huaj janë të mirëpritur, qoftë nga SHBA , Evropa, Rusia apo Izraeli. Politika nuk duhet të vëjë kufi në këtë drejtim.