Sfidat e festivalit ndërkombëtar të Vlorës

Sfidat e festivalit ndërkombëtar të Vlorës
TIRANE - Kultura folklorike shqiptare, ky thesar i lashtë, i pasur dhe i larmishëm ka qenë dhe është një vlerë e qëndrueshme e etnosit iliro-arbëresh-shqiptar. Kjo pasuri artistike kulturore në rrjedhat e historisë ka pësuar ndryshime, por edhe ka marrë ngjyrat e kohës. Manifestimi madhështor  “Aulona Interfolk Festival”, që u mbajt për të pestën herë në Vlorë nga 11-13 maj  ishte një arritje e shënuar dhe dëshmi e magjisë së artit popullor. Kjo arritje nuk është thjesht metaforë shkrimi, por një realitet i prekshëm faktik. Përvoja e grumbulluar dhe vlerësimet e mendimet e pjesëmarrësve shqiptarë dhe të huaj janë frymëzuese.

Tri janë shtyllat e  programit të këtij aktiviteti: E para, vizioni shkencor-profesional; e dyta, balancimi i dy gjymtyrëve të këtij aktiviteti d.m.th. i trashëgimisë kulturore dhe turizmin kulturor; e treta, organizimi dinamik. Dihet se në gjenezën e vet, folklori ka lindur si mesazh artistik kulturor në gjirin e familjes dhe gradualisht ka dalë edhe në një rreth me të gjerë në bashkësi si p.sh. në dasma, morte, ngjarje të bashkësisë. Kalimi nga një mjedis i vogël dhe intim në tribunat e festivaleve vendore, kombëtare ose ndërkombëtare, ka pasur dhe ka  ndikimin e vet.

Shqetësimi i specialistëve dhe studiuesve është ruajtja sa më shumë e origjinalitetit të kësaj krijimtarie. Kjo merr një rëndësi të veçantë se në një farë shkalle ndikon edhe në pjesëmarrjen e spektatorëve (shikuesve, por edhe teleshikuesve). Thënë thjesht, kërkohet të ruhet bukuria dhe vlerat autentike të formave folklorike. Prandaj edhe grupi i specialistëve,stafi i këtij festivali, kryesuar nga studiuesi i njohur i vlerave të trshëgimisë kulturore shpirtërore, akademik Vasil , i kushtojnë vëmendje serioze përzgjedhjes me frymë selektive të pjesëve që do të përfshihen në program por në radhë të parë përzgjedhjes së grupeve pjesëmarrëse nga shtete të ndryshme.

Pra, synohet të  shmanget çnatyralizimi i këngëve, valleve, kostumeve si dhe amalgamizimi/ përzjerja e tyre. Kjo u duk qartë edhe në këtë manifestim, në të cilin u shfaqën pjesët më të mira, si  vallet çame dhe ato të jugut  nga ansambli “Çamëria “ dhe “ Bilbili “ të Vlorës si dhe  vallet e luajtur nga grupi i Librazhdit . Kjo për pjesën e paraqitjes së folkut vendas. Kjo kërkesë themelore përfshiu gjithashtu edhe grupet nga vendet ballkanike dhe europiane  që morën pjesë si: Grupet nga shqiptarët e Kosovës, nga Bullgaria, Polonia, Kroacia, Maqedonia, Italia, Greqia etj.

Vlora me natyrë piktoreske ku gërshetohen kaltërsia e detit Adriatik me gjelbërimin e kodrave dhe luginave me ngjyrën e verdhë të portokalleve dhe limonave, me relievin plot larmi (det, male, kodra, lugina, etj.) është tepër tërheqës për vizitorët e huaj. Kjo është vetëm një anë e turizmit kulturor, ana tjetër është ushqimi i larmishëm vlonjat me pasurinë e ushqimeve të detit, ato me mishëra dhe zarzavate dhe fruta bio e në përgjithësi një kulinari e pasur në të gjithë bregdetin dhe vende tepër atraktive si llogaraja.

Mbi të gjitha Vlora është vatra e shpalljes së Pavarësisë, akti më solemn kombëtar; si dhe ka mjaft vende të veçanta historike si Kalaja e Kaninës, Ishulli i Zvërnecit, muzeumet etj. E treta, është organizimi shembullor që punohet sipas kriterit 24/7/360  ose shkurt “që në gusht nga një grusht”...  Sejmen Gjokoli i cili është organizatori i këtij aktiviteti mbetet shumë  i  përkushtuar  ndërkohë që  ka grumbulluar njerëz të aftë sipas parimit amerikan që të jesh i sukseshëm “should collect good people”, (duhet të mbledhësh rreth vetes njerëz të mirë e të zotë).

“Aulona Inter Folk Festival” vetëm brenda 5 viteve ka krijuar një standard të ri , cilësor, bashkëkohor të gërshetimit të trashëgimisë kulturore me turizmin kulturor. Vetëm për shkak të pjesëmarrjes në këtë festival qytetin e Vlorës dhe rrethinat kanë pasur rastin ta vizitojnë mbi 1 500 pjesëmarrës nga rreth 50 grupe nga vende të ndryshme të Europës duke filluar që nga Sllovakia e largët. Ky manifestim madhështor edhe në këtë vit të pestë solli vlera të reja, të freskëta dhe të papërsëritshme estetike si dëshmi e qytetërimit të lashtë europian të kombit shqiptar dhe të kombeve të tjera pjesëmarrëse.

“Aulona  Inter  Folk Festival” – na thotë  zoti  Gjokoli - e ka gjetur shtratin e vet dhe dimensionin kulturor por,  po aq edhe turistik duke e bërë atë krejt të veçantë mes homologëve  të tjerë.” Sfida e zhvillimit të mëtejshëm i këtij aktiviteti si një dukuri komplekse e trashëgimisë kulturore dhe atij të turizmit kulturor kërkon edhe përmirësimin e cilësisë së infrastrukturës, në mënyrë të veçantë në komunikimin rrugor, ajror dhe detar.

Ajo që e bën tërheqës këtë aktivitet me përmasa europiane është në radhë të parë vetë larmia dhe bukuria e pjesëve folklorike që transmetohen si dhe kostumet autentike shumë ngjyrëshe  e plot kolorite. “Aulona Folk…” është një dukuri e re origjinale e kulturës folklorike, në sistemin e shoqërisë demokratike, por edhe përcjell njëherazi mesazhe të sinqerta miqësore e paqësore midis grupeve të popujve të ndryshëm pjesëmarrës në të, ai është një dëshmi artistike kulturore e unitetit përmes ndryshueshmërisë, prandaj ka edhe një të ardhme të përhershme.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 26.05.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Temperaturat e larta, Veliaj apel qytetarëve: Shmangni lëvizjet gjatë orëve të pikut, ndaloni te 'Çadra e Kujdesit' për ujë dhe për të matur tensionin


Temperaturat e larta, Veliaj apel qytetarëve: Shmangni lëvizjet gjatë orëve të pikut, ndaloni te 'Çadra e Kujdesit' për ujë dhe për të matur tensionin