Franca dhe Kina duhet të punojnë së bashku për të ulur tensionet globale dhe për t’u përballur me çështje të tilla si ndryshimi i klimës, tha të premten ministrja e Jashtme franceze, Catherine Colonna.
Zonja Colonna ishte në një vizitë zyrtare në Pekin përpara një konference të madhe të OKB-së për klimën që fillon javën e ardhshme në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe një takimi mes udhëheqësve të dy vendeve muajin e ardhshëm.
Vizita e saj përkoi me fillimin e një armëpushimi katër-ditor në luftën Izrael-Hamas.
"Si fuqi të mëdha, ne ndajmë përgjegjësinë për të trajtuar sfidat globale... dhe mund të bëjmë përpjekje të përbashkëta për të zbutur tensionet në mbarë botën," tha ajo në një takim me Kryeministrin kinez Li Qiang.
Këto tensione lidhen me luftrat në Gazë dhe Ukrainë, si edhe konkurrencën mes Kinës dhe SHBA-së për tregtinë, teknologjinë dhe sigurinë.
Bashkimi Evropian ka mbajtur një linjë të ashpër ndaj Kinës, duke nisur një hetim tregtar për subvencionet ndaj prodhuesve kinezë të automjeteve elektrike.
Zyrtarët e BE-së kanë bërë thirrje për marrjen e hapave për të ulur deficitin e madh tregtar të bllokut me Kinën.
Pavarësisht dallimeve mes tyre, Kina është përpjekur të riparojë marrëdhëniet e saj me partnerët kryesorë tregtarë, përfshirë Evropën, SHBA-në dhe Australinë.
Presidenti francez Emmanuel Macron vizitoi Kinën në prill, pasuar nga Ministri i Financave Bruno Le Maire në korrik.
"Marrëdhëniet midis Kinës dhe Francës po bëhen gjithnjë e më të mira në të gjitha aspektet," tha kryeministri Li.
"Në veçanti, shkëmbimet tona në të gjitha nivelet tani po bëhen më të shpeshta sepse shumë nga mekanizmat janë rivendosur."/ VOA