Sfidat kryesore në negociatat për armëpushim në Gazë

Sfidat kryesore në negociatat për armëpushim në Gazë

Ndërmjetësuesit amerikanë dhe ata arabë kanë thënë se janë afër arritjes së një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës në Gazë, mirëpo bisedimet janë zgjatur për muaj, dhe në shumë raste kanë rezultuar me shpresa të rreme.

Tani ekziston urgjencë e re për negociatat, meqë Irani dhe grupi militant i Libanit, Hezbollah, janë zotuar për t’u hakmarrë për vrasjen e dy udhëheqësve të lartë – për çka fajësojnë Izraelin – dhe kështu janë rritur shqetësimet për një luftë më të gjerë edhe më shkatërruese.

Zyrtarët amerikanë kanë folur me doza të vogla optimizmi pas bisedimeve dyditore në Katar javën e kaluar, përgjatë së cilave ndërmjetësuesit kanë shpalosur propozimet. Mirëpo, Hamasi – grup palestinez i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi të tjera – ka thënë se ka probleme serioze me propozimet dhe nuk është as afër propozimeve të së kaluarës, të cilat për të kanë qenë të pranueshme.

Edhe Izraeli i ka shprehur shqetësimet e veta, duke thënë se ekzistojnë kompromise që nuk është gati t’i marrë. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, është kthyer sërish në rajon dhe do të takohet më vonë gjatë ditës me kryeministrin izraelit, Benjamin Netayahu. Izraeli e ka dërguar një delegacion në Kairo të dielën, dhe ndërmjetësuesit pritet të mbajnë një tjetër rund takimesh të nivelit të lartë në Egjipt, më vonë gjatë kësaj jave.

Pikat kyçe në negociatat për armëpushim

Një armëpushim do të mund ta ndalte luftën më vdekjeprurëse ndonjëherë në mes të izraelitëve dhe palestinezëve, konflikt i cili e ka destabilizuar Lindjen e Mesme dhe ka nxitur protesta në gjithë botën. Ofensiva e Izraelit ka lënë të vdekur më shumë se 40.000 palestinezë në Gazë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, të cilat nuk tregojnë sa prej të vdekurve janë militantë. Pjesa më e madhe e popullsisë është zhvendosur, shumë prej tyre disa herë.

Qindra mijëra njerëz tash e disa muaj janë duke jetuar nëpër tenda, ndërsa shërbimet shëndetësore janë joekzistente nëpër shumë vendbanime. Sulmet e Hamasit, më 7 tetor të vitit të kaluar, në Izrael, kanë lënë të vrarë më shumë se 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe militantët kanë marrë peng rreth 240 izraelitë tjerë. Rreth 110 pengje janë ende në Gazë, dhe autoritetet lokale deklarojnë se rreth një e treta e tyre janë të vdekur. Rreth 100 pengje janë liruar përgjatë një armëpushimi që ka zgjatur vetëm një javë në nëntor.

Hezbollahu i Libanit ka nisur sulme me dronë dhe raketa në Izrael pothuajse në baza ditore prej nisjes së luftës, ndërsa izraelitët janë përgjigjur me sulme ajrore dhe artileri. Dhuna është përshkallëzuar, duke detyruar dhjetëra mijëra njerëz që të ikin prej shtëpive të tyre nëpër dy zonat kufitare. Hezbollahu është zotuar për sulm edhe më të ashpër – pa treguar kur apo si – si përgjigje ndaj vrasjes së Fousad Shukurit, njërit prej komandantëve më të lartë të ushtrisë, muajin e kaluar.

Hezbollahu fajëson Izraelin për këtë vrasje. Edhe grupet tjera të përkrahura nga Irani në rajon, në Siri, Irak dhe Jemen, kanë sulmuar shënjestra izraelite, amerikane dhe tjera të huaja, në shenjë solidariteti me palestinezët.

Irani dhe Izraeli kanë nisur sulme direkte kundër njëri-tjetrit në prill, dhe shumë janë shqetësuar për një përsëritje të situatës nëse Irani jetëson kërcënimet që ka bërë, pas vrasjes së liderit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, në një shpërthim në Teheran, për të cilin është fajësuar Izraeli.

Hezbollahu ka thënë se do t’i ndalë operacionet përgjatë kufirit nëse qetësohet situata në Gazë. Një marrëveshje armëpushimi mund ta bindë Hezbollahun dhe Iranin që të përmbahen prej sulmeve hakmarrëse ndaj Izraelit – qoftë edhe përkohësisht.

Cilat janë komplikimet kryesore?

Dy palët kanë punuar për avancim të një propozimi që përbëhet prej tri fazave, sipas të cilit Hamasi do t’i lironte të gjitha pengjet në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë, më pas tërheqjen e Izraelit prej Gazës, dhe në fund gjithçka do të përmbyllej me një armëpushim të qëndrueshëm. Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka dhënë shtytje këtij propozimi, në një fjalim të mbajtur më 31 maj, ndërsa Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e ka miratuar dokumentin pas një kohe të shkurtër.

Megjithatë, prej atëherë, Hamasi ka propozuar “ndryshime” dhe Izraeli ka kërkuar “sqarime”, dhe kështu të dyja palët kanë përfunduar duke e akuzuar njëra-tjetrën që kanë bërë kërkesa të papranueshme. Hamasi kërkon siguri që Izraeli nuk do ta nisë më luftën, pas kthimit të pengjeve më kritike. Izraeli kërkon siguri që negociatat nuk do të zgjaten pafundësisht në fazën e dytë, e cila parasheh lirimin e të gjitha pengjeve.

Netanyahu ka kërkuar në javët e fundit që Izraeli të ketë prezencë ushtarake në kufirin Gazë-Egjipt, për të parandaluar kontrabandën me armë, dhe që t’i kontrollojë palestinezët kur të kthehen në pjesën veriore të Gazës, për t’u siguruar se nuk do të ketë militantë. Izraeli e mohon që këto kërkesa janë të reja, mirëpo ato nuk janë përmendur as në fjalimin e Bidenit, as në rezolutën e OKB-së, e cila përmend largimin e plotë të Izraelit prej Gazës. Pikë tjetër problematike është ajo se cilët të burgosur palestinezë duhet të lirohen edhe nëse duhet të largohen në mërgim.

Kush vendos për arritje të armëpushimit?

Çdo marrëveshje duhet të miratohet prej Netanyahut dhe Yahya Sinwarit, i cili ka ndihmuar në organizim të sulmeve të 7 tetorit dhe është bërë lider i Hamasit, pas vrasjes së Haniyehut. Netanyahu përballet me presion në rritje nga familjarët e pengjeve dhe pjesën më të madhe të publikut izraelit për të arritur marrëveshje që i kthen pengjet në shtëpi.

Mirëpo, liderët e së djathtës ekstreme në koalicionin e tij kanë kërcënuar me rrëzim të Qeverisë, nëse ai bën kompromise të mëdha, dhe shpallje të zgjedhjeve të reja që edhe mund ta rrëzojnë prej pushtetit.

Ndërkohë, Sinwar është duke u fshehur në Gazë, me shumë mundësi në rrjetin e tuneleve të Hamasit atje, dhe vazhdon të ketë qasje të ashpër për negociatat. Ai është në listën izraelite të personave më të kërkuar, dhe kështu janë rritur dilemat se çfarë ndodh nëse ai vritet.

Në të kaluarën janë dashur disa ditë që negociatorët e Hamasit t’i dërgojnë propozime Sinwarit dhe të presin reagimet e tij. Kjo nënkupton që edhe nëse të gjitha gjërat finalizohen, Hamasit do t’i duhet edhe një javë më shumë për ta thënë fjalën e fundit.

Palestinezët në Gazë kanë thënë se janë të dërmuar dhe që ekziston nevojë e madhe për armëpushim. Kur Hamasi e ka pati pranuar një propozim në maj, patën shpërthyer festime të mëdha, mirëpo shpresat qenë zbehur shpejt.

Grupet e ndihmës kanë bërë thirrje për armëpushim qysh prej nisjes së luftës, duke thënë se kjo është mënyra e vetme për të garantuar shpërndarjen e ndihmave për familjet në Gazë. Ekspertët kanë paralajmëruar për uri të madhe dhe përhapje sëmundjesh, sikurse poliomieliti, nëse lufta vazhdon.

Edhe nëse luftimet përfundojnë nesër, Kombet e Bashkuara kanë thënë se do të duhet edhe një dekadë dhe dhjetëra miliarda dollarë për ta rindërtuar Gazën. Në Izrael, ku shumë persona janë thellësisht të traumatizuar pas sulmeve të 7 tetorit, ekziston ende mbështetje e madhe për luftën dhe simpati e paktë për palestinezët.

Mirëpo, zhurma e madhe dhe protestat masive që organizohen për kthim të pengjeve në shtëpi, i kanë mundur thirrjet tjera, përfshirë atë për rrëzim të Qeverisë së Netanyahut, i cili fajësohet nga shumëkush për dështim në sektorët e sigurisë dhe inteligjencës, që ka rezultuar me sulmin e tetorit./REL

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë