Prokuroria në Hungari ka ngritur akuza ndaj kryebashkiakut progresist të Budapestit, Gergely Karacsony, për shkak të thirrjes së tij publike që qytetarët të sfidonin ndalimin e marshimit Pride tw grupeve LGBT, vendosur nga qeveria e Viktor Orban.

Akuza lidhet me marshimin e muajit qershor, kur autoritetet policore ndaluan zyrtarisht paradwn Budapest Pride, pasi qeveria miratoi një ligj që krijonte bazën ligjore për ndalimin e tij, duke e justifikuar me “mbrojtjen e fëmijëve”.

Pas ndalimit, Karácsony e shpalli paradwn një aktivitet të bashkisë, duke injoruar policinë e duke mos marrë leje. 

Thirrja e tij u ndoq nga një pjesëmarrje rekord: rreth 200 mijë persona morwn pjesw nw paradw, përfshirë qytetarë nga e gjithë Hungaria, eurodeputetë dhe zyrtarë europianë.

Të mërkurën, prokuroria deklaroi se Karacsony ka “organizuar dhe drejtuar një tubim publik pavarësisht ndalimit policor”, duke shtuar se do t’i kërkojë gjykatës ta gjobisë përmes një vendimi të përshpejtuar, pa zhvilluar proces gjyqësor. Shuma e gjobës nuk është bërë publike.

Vendimi vjen më pak se tre muaj para zgjedhjeve parlamentare, ku kryeministri Viktor Orban sfidohet seriozisht nga një ish-figurë e partisë së tij.

Karacsony reagoi menjëherë në rrjete sociale, duke ironizuar vendimin. Ai tha se nga “i dyshuar krenar” tani është kthyer në “i pandehur krenar”, duke shtuar se kjo është çmimi që paguhet kur dikush mbron lirinë e vet dhe të të tjerëve.

Kryebashkiaku, një nga figurat kryesore të opozitës hungareze, ka qenë shpesh në konflikt me qeverinë Orban, duke vendosur flamurin e ylberit dhe atë të Ukrainës në ndërtesën e bashkisë së Budapestit. Ai tha se do të vazhdojë të qëndrojë kundër asaj që e quajti pushtet autoritar.

Qeveria Orban ka kufizuar prej vitesh të drejtat e komunitetit LGBTQ+ dhe është kritikuar gjerësisht nga Bashkimi Europian për dobësimin e institucioneve demokratike, lirinë e medias dhe sundimin e ligjit. Ligji që çoi në ndalimin e Pride konsiderohet si një precedent i rrezikshëm në BE.

Kryetarët e Partisë së Gjelbër Europiane e cilësuan çështjen si një provë për vetë Bashkimin Europian. Ata paralajmëruan se ndëshkimi i një kryebashkiaku të zgjedhur për mbrojtjen e tubimit paqësor tregon drejtimin autoritar të Hungarisë dhe kërkuan reagim nga institucionet europiane.