Kredia prej 1 miliard eurosh që Hungaria i akordoi Maqedonisë së Veriut ka përfunduar nën hetim penal. Autoritetet hungareze po verifikojnë nëse gjatë miratimit të saj janë kryer shkelje, ndërsa hetimi është shtrirë edhe në mënyrën si ka funksionuar banka shtetërore "Eximbank", përmes së cilës u dha financimi.
Sipas Reuters, policia hungareze po heton katër raste që lidhen me "Eximbank", nën dyshimet për shpërdorim detyre dhe menaxhim neglizhent. Një prej tyre është edhe kredia prej 1 miliard eurosh për Maqedoninë e Veriut.
Hetimi nisi pasi Ministria hungareze e Ekonomisë paraqiti një kallëzim në korrik, bazuar në gjetjet e një auditimi të brendshëm të bankës. Si pjesë e procedurës, hetuesit sekuestruan të hënën mijëra faqe dokumentesh nga ministria.
"Këto dokumente u morën gjatë hetimit të brendshëm dhe përmbajnë informacione shtesë të rëndësishme për hetimin e krimeve të raportuara", thuhet në deklaratën e policisë.
Kredia ishte vënë më herët në qendër të kritikave nga kryeministri hungarez Peter Magyar. Ai ka deklaruar se fondet, të destinuara për mbështetjen e kompanive hungareze, u ridrejtuan për të ndihmuar një aleat politik jashtë vendit, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, si edhe për të favorizuar kompani të afërta me qeverinë e mëparshme hungareze.
Magyar ka pretenduar gjithashtu se kushtet e kësaj kredie ishin më të favorshme se ato që u ofrohen kompanive vendase në Hungari apo edhe vetë shtetit hungarez kur merr hua për financimin e projekteve të tij.
Procesi për miratimin e kredisë nisi në mesin e vitit 2024, pas takimeve të zhvilluara në Samitin e NATO-s në Uashington. Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi projektligjin më 3 shtator, Kuvendi e votoi më 17 shtator, ndërsa më 8 tetor ministritë e Financave të dy vendeve nënshkruan marrëveshjen. Pas kësaj u disbursua edhe kësti i parë prej 500 milionë eurosh.
Hetimi nuk kufizohet vetëm te kredia për Maqedoninë e Veriut. Autoritetet hungareze po verifikojnë edhe tre transaksione të tjera të "Eximbank".
Njëri prej tyre lidhet me një financim prej rreth 59 miliardë forintash, ose rreth 161 milionë euro, për hotelin "Sofitel" dhe një kompani të lidhur me bizneset e Istvan Tiborcz, dhëndrit të ish-kryeministrit Viktor Orban. Sipas pretendimeve të Peter Magyar, vendimi për këtë financim u miratua brenda vetëm dy ditësh, në kundërshtim me procedurat e brendshme të bankës.
Nën hetim është edhe një garanci financiare prej 126 miliardë forintash, ose rreth 344-398 milionë euro, e dhënë nga "Eximbank" dhe Banka Hungareze për Zhvillim për ndërtimin e një autostrade mes Zambisë dhe Republikës Demokratike të Kongos, projekt i lidhur me kompaninë e ndërtimit "Duna Aszfalt".
"Eximbank", e cila deri në qershor të vitit 2022 ishte nën juridiksionin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe më pas kaloi nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Ekonomisë, nuk ka reaguar ende ndaj hetimit.












Komente
Komento